Më 5 korrik kalendari Kishtar përkujton shën Antonin Maria Zakaria
Ndou lindi në Kremonë të Italisë më 1502 në një familje me origjinë gjenoveze. E ëma,
mbetur e vejë që në moshën 18 vjeçe, nuk deshi të martohej më. Iu kushtua e tëra edukimit
të të birit. Frytet e mira nuk do të vononin. Një ditë të ftohtë dimri, Antoni u kthye
në shtëpi pa mantelin prej leshi: ia kishte falur një të varfëri që dridhej nga e
ftohta. Gjatë viteve që kaloi në Pavi, ku studionte mjekësinë, iu kushtua mësimit,
larg jetës së zhurmshme studentore. Vishej si të varfrit, ndonëse i përkiste një familjeje
të pasur. Edhe profesionin e mjekut e ushtroi për e pranë të varfërve, duke ua mjekuar
falas sëmundjet e trupit e të shpirtit e duke çuar kudo shkonte, paqen e Zotit. Më
1528 u shugurua meshtar. E la përsëri vetëm nënën, si në vitet e studimeve, e u vendos
në Milano, ku së bashku me Giakomo Morigen e Bartolomeo Ferrarin themeloi Kongregatën
e Klerikëve rregulltarë të Shën Palit, të njohur si barnabitë, nga emri i Kishës milaneze
të Shën Barnabës, pranë së cilës lindi shtëpia nënë. Qëllimi ishte nxitja e reformës
së klerit e të shekullarëve. Shumë shpejt, pranë Kongregatës mashkullore lindi edhe
dega e Motrave Engjëllore, për reformimin e kuvendeve femërore. Fjala reformë asokohe
ishte në rend të ditës. E Ndou, së bashku me shenjtorët e shumtë të kohës, dha një
kontribut të shquar për përgatitjen e Koncilit të Trentit, që do të realizonte pikërisht
reformën e madhe katolike. Adhurues i Eukaristisë, themeloi praktikën e 40 orëve
të adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament. Vdiq pa i mbushur ende 37 vjetët, më
5 korrik 1539, në shtëpinë ku kishte lindur e ku kishte shkuar, duke e ndjerë se po
i soseshin forcat, gjatë njërit prej misioneve të shumta të lutjes e të predikimit
që zhvillonte vazhdimisht në Italinë veriore. Dha shpirt me kryet mbështetur në
prehrin e nënës guximtare, e cila kishte pranuar jetën vetmitare, vetëm për të mos
e penguar të birin të kryente misionin e tij të madh, që vijon ndër qindra shtëpitë
e dy degëve të Kongregatës së tij, përhapur në shumë vende të botës, e edhe në Shqipëri
e në Kosovë, ku sot Barnabitët dhe Motrat Engjëllore ishin në festë. Shën Anton
Maria Zakaria na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të
arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e
trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati.
Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit.