2011-07-05 12:27:51

Institucionet më të larta kristiane nënshkruan një dokument me titull: “Dëshmia e krishterë në një botë shumë-fetare”.


Në fund të qershorit, Kisha katolike dhe delegatët e institucioneve më të larta kristiane, nënshkruan një dokument, me titull: “Dëshmia e krishterë në një botë shumë fetare. Porosi për Kodin e sjelljes”. Përveç Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc) dhe Aleancës Ungjillore Botërore (Wea), në Gjenevë ishte i pranishëm edhe përfaqësues i Selisë së Shenjtë, kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
Kardinali Toran, në mikrofonin tonë, flet për rëndësinë e këtij dokumenti ekumenik:

Ka rëndësi, sepse vë në dukje nevojën për t’i shërbyer njerëzimit, me të gjithë trashëgiminë, që e kemi të përbashkët, kur bëhet fjalë për ta dëshmuar Krishtin në një botë, ku bashkëjetojnë shumë besime, shumë fe. E mund të themi se të përbashkëta kemi shumë parime, gjë që mund të jetë tejet e dobishme për dialogun e të krishterëve tanë në nivelin e famullive, të shkollave e të shoqërisë në përgjithësi. Vlerat e krishtera që shpallim, pavarësisht nga ndarjet tona, duhet të jenë faktorë bashkimi edhe për shoqërinë, sepse dialogu ndërfetar nuk është dialog ndërmjet feve, por dialog ndërmjet besimtarëve, domethënë, dialog që bëhet në familje, në shkollë, në jetën kulturore. Këto vlera të krishtera, që predikojnë Kishat e ndryshme të krishtera ose bashkësitë e krishtera, duhet të bëhen burim frymëzimi, për t’i treguar botës se njerëzit mund të jetojnë të bashkuar, pavarësisht nga ndryshimet që kanë në drejtime të ndryshme.

Është një dokument, që pati nevojë për dhjetë vjet të gjata punimesh, para se të shikonte dritën, sipas jush, cilat qenë vështirësitë kryesore?

Fillimisht, ishte problem i vështirë, për të kuptuar se çfarë dokumenti do të kishte qenë, një dokument teologjik apo baritor. Më vonë u preferua opsioni i dytë e këndej një dokument shumë konkret. Mbledhjen e parë e patëm, më 2006, në Lariano: qenë të pranishëm myslimanë, hebrenj, budistë e të tjerë. Pastaj patëm mbledhjen e dytë në Tuluzë gjithnjë më 2006, e së fundi mbledhjen e tretë në Bangkok, janarin e kaluar. Do të thosha se ishte një punë mjaft e vështirë, sepse ishte e nevojshme të arrinim edhe deri te paraqitja skematike e traditave të ndryshme teologjike, te paraqitja e fjalorit, e termave (fjalëve) të ndryshëm e pastaj paraqitja e kuptimit të fjalëve, me qenë se nga një herë e njëjta fjalë nuk ka të njëjtën domethënie në një fe apo në të tjetrën.

Dokumenti insiston shumë edhe mbi rëndësinë e lirisë fetare: një temë kjo shumë e përzemërt që ka Papa...

Po, sepse ekziston një dykuptimësi rreth kësaj çështje: mjafton të kujtojmë se shprehja ‘liri fetare’, është shumë më e gjerë se ‘liri kulti’, sepse liria fetare përfaqëson edhe e sidomos, përmasën shoqërore: besimtarët duhet t’i kenë të gjitha kushtet për të dhënë ndihmesën e tyre në të mirën e shoqërisë, duke marrë pjesë në dialogun publik e përmes impenjimit në politikë, në kulturë e në të gjitha fushat e jetës shoqërore, pra jo vetëm në botën private, individuale. E pikërisht këtu ka vështirësi.

Sipas jush si do të reagojnë fetë tjera, për shembull mbi temën e vështirë të kthimit në fe?

Dokumenti nuk e trajtojnë në kthimin në fe. Kthimi është takim i dy lirive: liria e Zotit e liria e njeriut e aty askush nuk mund të ndërhyj. Kthimi është mister i madh. Kthimi me forcë nuk ka kurrfarë vlere për ne. Dialogu ndërfetar do të thotë të shikojmë njëri tjetrin në sy, ta dëgjojmë njëri tjetrin, të kuptohemi e gjithçka që kemi të përbashkët ta vëmë në dispozicion të shoqërisë për të mirën e përbashkët.







All the contents on this site are copyrighted ©.