2011-07-04 16:23:16

Papa përuron ekspozitën kushtuar 60-vjetorit të meshtarisë së tij: bukuria buron nga bashkimi i vërtetësisë me dashurinë.


Një rast i volitshëm për takimin e Kishës me artistët: Benedikti XVI përuroi sot paradite, në Sallën e Palit VI, ekspozitën e organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, për 60-vjetorin e meshtarisë së tij. Duke iu drejtuar artistëve nga vise të ndryshme të botës, që realizuan 60 veprat e ekspozuara, Papa nënvizoi me forcë se bukuria e vërtetë buron nga harmonia e përkryer e nga e vërteta me dashuri. E vijoi të theksonte se dialogu i Kishës me artistët ka rëndësi vendimtare, për ta bërë të shkëlqejë e vërteta, që vijon të errësohet nga gënjeshtrat e nga banaliteti. Takimi u hap me tingujt mjeshtror të një pianoforteje, mbi tastierën e së cilës fluturonin gishtërinjtë e shkathët të Mjeshtrit Arvo Pärt, e vijoi me përshëndetjen e kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i dikasterit e drejtues i ekspozitës.

Muzikë, pikturë, skulpturë, për të kremtuar 60-vjetorin e meshtarisë së Jozef Racinger. Një ekspozitë me titullin joshës “Shkëlqimi i së vërtetës, bukuria e dashurisë”. E Benedikti XVI mori shtytje pikërisht nga ky binom “vërtetësi-dashuri” për t’u ndaluar tek burimi i vërtetë i bukurisë:
Pikërisht nga bashkimi, dua të them, nga simfonia, nga harmonia e përsosur e vërtetësisë me dashurinë, buron bukuria e vërtetë, e aftë për të ngjallur admirim, mahnitje e gëzim të mirëfilltë në zemrën e njerëzve. Bota, në të cilën jetojmë, ka nevojë që të shkëlqejë përsëri e vërteta e të mos nxihet nga gënjeshtra a nga banaliteti; ka nevojë që dashuria t’i ndezë zemrat, e të mos shkelet me këmbë nga banaliteti, nga mburrja, nga egoizmi i atyre, që nuk dijnë ç’është bukuria”.
Kemi nevojë – vijoi Ati i Shenjtë – që bukuria e vërtetësisë dhe e dashurisë, të prekë thellësinë e zemrës sonë e ta bëjë më njerëzore. Më pas, Papa u drejtoi të gjithë artistëve, një thirrje miqësore e të pasionuar:
“Mos e veçoni kurrë krijimtarinë artistike nga vërtetësia e nga dashuria, mos e kërkoni kurrë bukurinë, larg së vërtetës e dashurisë, por me pasurinë e gjenialitetit tuaj, të frymës suaj krijuese, të jini gjithnjë kërkimtarë të etur të së vërtetës e dëshmitarë fisnik të dashurisë”.
Punoni në mënyrë të tillë, që në veprat tuaja të ndrisë e vërteta, nënvizoi Papa, e në vijim i nxiti të gjithë artistët që bukuria e veprave të tyre të ngjallë në syrin e në zemrën e atyre, që i admirojnë, dëshirën e nevojën për ta bërë vetë jetën më të bukur e më të vërtetë, duke e pasuruar me thesarin e paçmuar të dashurisë, që buron nga vargjet, nga ngjyrat, nga tingujt:
“Shpirti Shenjt, krijues i të gjitha bukurive që shikojmë në botë, ju ndriçoftë gjithnjë e ju priftë drejt Bukurisë së mbrame e përfundimtare, asaj, që na ngroh mendje e zemra e që presim ta kundrojmë një ditë, në të gjithë shkëlqimin e saj. Edhe një herë, faleminderit për miqësinë tuaj, për praninë tuaj, sepse sillni në botë një rreze të asaj Drite, që është Zoti”.
Më pas Papa nënvizoi se takimi për ekspozitën, përfaqëson një etapë të re të rrugës së miqësisë e të dialogut me artistët, që nisi më 21 nëntor të vitit 2009, në Kapelën Sikstine. Një ngjarje që, theksoi, e kam ende të vulosur në shpirt:
“Kisha e artistët takohen përsëri, flasin, ndjejnë nevojën të hapin një bisedë, që do e duhet të bëhet gjithnjë më e thellë e më e plotë, edhe për t’i dhuruar kulturës, madje kulturave, të kohës sonë, një shemull shprehës dialogu të sukseshëm e të frytshëm, që ka për qëllim ta bëjë këtë botën tonë, më njerëzore e më të bukur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.