Papa tregon udhën e dashurisë së Krishtit, duke kujtuar të varfërit e shumtë, që
vuajnë, por edhe të pasurit arrogantë, në rendje pas suksesit me çdo kusht!
Papa i porosit besimtarët t’i thonë “jo” arrogancës dhe suksesit me çdo kusht. I tregon
rrugën e Krishtit, njerëzimit të ditëve tona, në gjirin e të cilit ka shumë njerëz
të shtypur, shumë të shfrytëzuar, shumë nevojtarë dhe emigrantë, por edhe shumë të
pasur, thellësisht të pakënaqur nga jeta, madje, të sëmurë nga depresioni. Në
përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i njoftoi besimtarët se
muajt e verës do t’i kalojë, si zakonisht, në Kastel Gandolfo.
“Ilaçi i vërtetë
për plagët materiale e shpirtërore të njerëzimit, si uria e padrejtësitë, por edhe
për ato pskologjike e morale, të hapura për shkak të mirëqenies së rreme, është rregulli
i një jete të bazuar mbi dashurinë vëllazërore, që e ka burimin e vet në dashurinë
e Zotit”. Kështu i foli Benedikti XVI njerëzimit të ditëve tona, duke u nisur nga
fragmenti i Ungjillit të Mateut, lexuar në liturgjinë e djeshme. Kjo faqe ungjillore
tregon se kur Krishti përshkonte udhët e Galilesë, duke kumtuar Mbretërinë e Zotit
e duke shëruar shumë të sëmurë, ndjente mëshirë për turmat, sepse ishin të lodhura
e të këputura, si delet pa bari. Këtyre turmave Jezusi u kërkonte zemër të butë
e të përvujtë, nënvizoi Papa, duke theksuar se, si asokohe, edhe në botën e sotme
shikon...; “… shumë njerëz të shtypur nga kushtet e vështira të jetesës, por
edhe nga mungesa e pikëmbështetjes, për të gjetur një kuptim e një cak për jetën e
tyre”. Papa foli për të varfër e për të pasur: “Turma të lodhura e të
këputura enden në vendet më të varfëra, ku mungojnë edhe gjërat më të domosdoshme
për jetesën; por edhe në vendet më të pasura, ku shumë burra e gra janë të pakënaqur,
deri në depresion”. Mendimi i Benediktit XVI shkoi, më pas, tek emigrantët,
që jetojnë në kushte dramatike, pasojë e largimit të detyruar nga vatrat, drejt viseve
krejt të panjohura e shpesh, edhe armiqësore: “Mendojmë, pastaj, për turmën
e emigrantëve e të refugjatëve, të cilët nisen drejt mërgimit, duke vënë në rrezik
edhe jetën ”. Jezusi u premton të gjithëve “çlodhje” – tha Papa - por me një
kusht: të jetojnë sipas ligjit të dashurisë. E Benedikti XVI foli qartë në këtë
drejtim: “Duhet braktisur rruga e arrogancës, e dhunës, që përdoret si mjet
për të fituar pozita gjithnjë më të larta, më të pushtetshme e për të siguruar suksesin
me çdo kusht”. Më pas, një fjalë e fortë edhe për plagët që i hapen ambientit: “Edhe
kur bëhet fjalë për ambientin, duhet hequr dorë nga stili agresiv, sundues këto shekujt
e fundit, e të punohet duke u bazuar mbi një arsye më ‘zemërbutë’”. Kujtoi
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, më pas, Benedikti XVI, duke ngulmuar fort mbi respektimin
e dinjitetit të njeriut: “Posaçërisht në marrëdhëniet personale e shoqërore,
ndërmjet njerëzve, rregulla e respektit dhe e mospërdorimit të dhunës, domethënë,
e forcës të së vërtetës, përball paudhësisë, është e vetmja, që mund t’i sigurojë
njeriut një ardhmëri të denjë”. Pas lutjes mariane, Papa kujtoi gëzimin e Kishës
në Rumani, posaçërisht në Satu Mare, ku dje u shpall i Lum Janosh Shefler, ipeshkëv–martir
i kësaj dioqeze, mbytur nga regjimi Zoturrejtës komunist, në vitin 1952. Dëshmia e
tij – tha Benedikti XVI – i ndihmoftë gjithnjë besimtarët, që e kujtojnë me dashuri,
si dhe të breznitë e reja. Pastaj, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa
i ftoi besimtarët t’i kalojnë muajt e çlodhjes në paqe, duke u prehur në gjirin e
natyrës e duke kujtuar se të nisesh, do të thotë t’i jetosh në një mënyrë të re marrëdhëniet
me të tjerët. Ati i Shenjtë i porositi veronjësit që, në çastin e nisjes, kur bëjnë
gati valixhet, të mos e harrojnë edhe Ungjillin. Në anglisht, urimi për të gjetur
paqë në shpirt e në trup, gjatë pushimeve. Një përshëndetje e posaçme për kandidatët
e diakonisë së përhershme të dioqezës së Elphin-it në Irlandë. Në gjermanisht,
ftesa për të mos ia ndarë sytë Zemrës së Krishtit, që i njeh mirë plagët e fshehura
të zemrave tona. Drejtuar profesorëve e nxënësve të Kolegjit Ndërkombëtar Evropa
në Sevilje, përshëndetja në gjuhën spanjolle. Në sllovakisht, një mendim për festën
e vëllezërve shenjtorë, Çirilit e Metodit, të cilët Sllovakia do t’i kremtojë nesër.
Ftesa për ta parë Zemrën e Zojës si burim jete e shenjtërie, në gjuhën polake,
duke kujtuar edhe kremtimet e fundit të Zemrës së Krishtit e të Zemrës së Marisë.
Së fundi, një përshëndetje e përzemërt papnore italisht. Benedikti XVI u uroi
të gjithëve të diele, javë e korrik të këndshëm. Në përfundim, njoftoi se edhe
Ai vetë do të niset, për të kaluar verën në Kastel Gandolfo: “Ditët e ardhshme
do të largohem nga Vatikani për të shkuar në Kastel Gandolfo. Prej atje, në dashtë
Zoti, do ta kryesoj lutjen e Engjëllit të Tënzot të dielën e ardhshme. Faleminderit!”.
Në
kremtimin e Engjëllit të Tënzot ishte i pranishëm edhe Don Ariani, i cili shprehet
kështu, në mikrofonin tonë: