2011-07-04 15:23:57

Homazh i 60 artistëve për 60 vjetorin e meshtarisë së Benediktit XVI


Sot më 4 korrik në tremën e Sallës së Palit VI në Vatikan u përurua Ekspozita ‘Shkëlqimi i së vërtetës, bukuria e dashurisë’, homazh i 60 artistëve që përfaqësojnë botën e kulturës Papës Benediktit me rastin e 60 vjetorit të meshtarisë. Më 21 nëntorin e vitit 2009 Ati i Shenjtë Benedikti XVI qe përshëndetur me artistët në Kapën Siksitina në Vatikan dhe u nda prej tyre me fjalën ‘mirupafshim’ për të nënvizuar se ai takim qe fillimi i një dialogu të ri. Ekspozita ‘Shkëlqimi i së vërtetës, bukuria e dashurisë’ duket pikërisht vazhdim i atij takimi, siç shpjegon, në intervistën dhënë Radio Vatikanit, kardinali Gianfranco Ravasi, president i Këshillit Papnor për Kulturën:

P: Ideja lindi sigurisht atë ditë të 21 nëntorit 2009: në mbarimin e fjalimit të tij, Benedikti XVI shqiptoi të njëjtën fjalë të mbrame që pat shqiptuar Papa Pali VI kur, 45 vjet më parë, i pat mbledhur artistët në të njëjtën hapësirë të mrekullueshme që është Kapela Sikstine në Vatikan. Fjala është: “mirupafshim”, duke kërkuar, në një farë mënyre, të përkujtonte se sa e domosdoshme është që ky takim që qe realizuar të mos mbetej vetëm një takim i rastësishëm por të ishte fillimi i një dialogu të ri, të vetëdijshëm – siç jemi të gjithë – që ndërmjet artit e fesë, në shekullin e fundit, pa dyshim është konsumuar një lloj divorci.

Për 60 vjetet e meshtarisë së Benediktit XVI 60 artistë. Si ndodhi seleksionimi?

Paradoksalisht mund të thuhet se mund të fillojmë të mendojmë që për 70 vjetorin e meshtarisë së Benediktit XVI do të duhet ti ftojmë 700 artistë, sepse vërtetë jam stërmbushur me kërkesa po edhe me protesta nga ata artistë që janë përjashtuar. Dua të them se këtë ekspozitë na është dashur ta përgatisim në një hark kohor shumë të shkurt dhe kemi zgjedhur duke u munduar të mbanim para sysh sidomos tri kritere. Kriteri i parë është ai i diversitetit të disiplinave artistike; i dyti, më përfaqësues, është ai i horizontin ndërkombëtar, pa harruar kështu të gjitha vështirësitë që kanë të bëjnë për shembull me transportin e materialeve deri në Romë, që nga një herë është vërtetë punë e ndërlikuar. Së fundi, kemi kërkuar e jemi munduar edhe të përfaqësojmë, për tani, disa figura të një pasqyre të përgjithshme që është shumë e pasur. Pra nuk bëhet fjalë për përjashtime por vetëm për një seleksionim (përzgjedhje) që lidhet me kërkesën e menjëhershme dhe me kohën tejet të shkurtër. Për këtë them se nga ky moment e më tutje do të fillojmë të përshkojmë një udhë e një sistem që përfshirë atë turmë – më duhet ta quaj turmë - artistësh, që na është drejtuar për të qenë edhe ajo e përfshirë e pjesëmarrëse në këtë projekt.

Ndoshta ndokujt mund ti duhet kureshtare fakti që në një ekspozitë, pranë veprave që tradicionalisht janë të ekspozuara, si vepra pikture, skulpture e fotografike-, janë përfshirë edhe autorë të muzikës e të spektaklit. Si është e mundur?

Ne i ftojmë dëgjuesit tanë ta vizitojnë këtë ekspozitë për të pa se si është tentuar një drejtpeshimi i gjinive artistike kaq të ndryshme. Mjeshtri Morricone, për shembull, ofron një partiturë që vërtetë është me një sugjestionim të madh edhe pamor, sepse teksti muzikor që ka kompozuar i kushtohet Kryqit dhe formën e Kryqit, formën e Udhës së Kryqit, e Morricon e ka ndërtuar në atë mënyrë – pikërisht siç përdorej edhe në disa raste në lashtësi – mbi një Kryq të madh. Prandaj, ekzekutimi i këtij kompozimi muzikor mund të bëhet prej zërave vetëm solist duke lexuar partiturën vertikalisht si dhe nga kori duke e lexuar horizontalisht. Prandaj gjendemi në pranin e një elementi që është gati edhe viziv. Arkitektura, për shembull, na ofron me Calatrava (Kalatravën), me një maket, pra me një model të jashtëzakonshme objekti, që ka një ndikim të madh pamor, që me siguri ëndërron, e uron të mund të bëhet edhe realitet, një katedrale. Nga ana tjetër, zgjedhja ime personale: për të shtie, edhe pas përfundimit të përzgjedhjes së artistëve, një arkitekt brazialian që ka 102 vjeç i cili është i lumtur që merr pjesë: ai është krijuesi i Brazilit, Oscar Niemeyer, i cili deshi të sjell në këtë ekspozitë aktin e tij të fundit. “Katedralen e Belo Horizonte-s”, me një kambanare me një lehtësi të jashtëzakonshme, të cilën ai e konsideron gati si një testament të tij.

A bëhet fjalë për artistë besimtarë?

Kryesisht po, por jo ekskluzivisht. Madje, dëshira themelore është pikërisht ajo e përfshirjes gjithnjë e më shumë të atij horizonte të gjerë të të gjithë atyre që pyesin mbi Zotin, që përtej horizontit të vetvetishëm kërkojnë Hyjin. Në këtë dritë, besoj se mund edhe, sidomos në të ardhmen, të përfshihen e të bashkëngjiten shumë artistë që nuk janë besimtarë por që kanë një dëshirë të madhe, siç e përshkruan një tjetër artist i madh, Paul Klee: atë të “kërkimit të papashmit në të dukshmen e jo të përfaqëson thjesht të dukshmin, që nuk është detyrë e artit”.

A i pëlqeu Ati i Shenjtë kjo nismë e juaj?

Ati i Shenjtë para së gjithash, kur i paraqita propozimin, bëri një notë, një shënim me një skedë duke thënë se ishte i interesuar të përcillte përgatitjet, aq është e vërtet sa që e kam njoftuar edhe mbi përzgjedhjen e artistëve e mbi vështirësitë që patëm, sepse disa artistë që dëshironin të merrnin pjesë në këtë ekspozitë nuk arritën për shkak të harkut kohor kaq të shkurtë. Dua të kujtoj një personalitet tejet të lartë si çmimi Nobel për Literaturë Séamus Haeney, irlandez, i cili tha: “Unë për të krijuar një poemë kamë nevojë së paku për një vit”. Prandaj Papa ka ndjekur gjithçka nga afër e sot më 4 korrik mori pjesë në një ngjarje do të thosha të ‘provuar’, në të cilën Ati i Shenjtë mori dhuratën prej çdo artisti individualisht, duke kaluar përmes ekspozitës. Kështu qe moment i një takimi vërtetë të drejtpërdrejtë.

Po kujtojmë se në ekspozitën ‘Shkëlqimi i së vërtetës, bukuria e dashurisë’, homazh i botës së kulturës Papës Racinger për 60 vjetorin e meshtarisë së tij që ra më 29 qershorin e kaluar, piktorë, skulptorë, arkitektë, fotografë, shkrimtarë, muzikantë, regjisorë, argjendarë kanë ekspozuar veprat e tyre artistike. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 4 shtator, hyrja është falas çdo ditë nga ora 10,00 deri në orën 19.00 në Vatikan pranë Sallës së Palit VI.







All the contents on this site are copyrighted ©.