2011-07-04 15:23:47

Deklaratë e Selisë së Shenjtë lidhur me shugurimin e paligjshëm të një ipeshkvi kinez. Papa, me hidhërim, shprehet: minon unitetin e Kishës.


Një shugurim i paligjshëm, që i shkakton përçarje e tensione Kishës e hidhërim të thellë, Benediktit XVI. Përfshihet në tri pika kryesore, reagimi i Selisë së Shenjtë, pas lajmit për shugurimin ipeshkvnor të meshtarit Paolo Lei Shiyin, në Kinë, kremtuar pa mandatin apostolik, më 29 qershorin e kaluar.

Tre argumente të qarta, në të cilat ndjehet fort dhimbja e qortimi i Benediktit XVI. Deklarata e Selisë së Shenjtë thekson, në radhë të parë, se prelati i shuguruar pa miratimin papnor, është i paligjshëm, prej këndej, nuk ka autoritet ta drejtojë bashkësinë katolike dioqezane. Me fjalë të tjera, Selia e Shenjtë nuk e njeh si ipeshkëv të Leshanit. Si pasojë, saktësohet, ipeshkvi i ri ka shkelur normën 1382 të Kodit të së Drejtës Kanonike. Vetë i nderuari Lei Shiyin, lexohet në Deklaratë, ishte njoftuar në kohën e duhur se nuk mund të pranohej nga Selia e Shenjtë si kandidat për ipeshkëv, për motive shumë të rënda. Edhe ipeshkvijtë e shuguruar, deklarohet më pas, janë vënë në një pozitë, që çon sanksione kanonike, të parashikuara nga Ligji i Kishës, në mënyrë të posaçme, nga Norma 1382 e Kodit të së Drejtës Kanonike Kishtare.
Shugurimi ipeshkvnor, pa mandatin papnor, vijon deklarata, i kundërvihet drejtpërdrejt rolit shpirtëror të Papës, duke dëmtuar, kështu, unitetin e Kishës. Shugurimi në Leshan, lexojmë më tej, krejt i njëanshëm, mbjell përçarje e, për fat të keq, shkakton plagë e tensione edhe në gjirin e bashkësisë katolike në Kinë.
Mbijetesa dhe zhvillimi i Kishës, mund të realizohen vetëm në unitet me atë, që ka parinë, të cilit i është besuar vetë Kisha, e jo pa miratimin e tij, siç ndodhi në Leshan, Në se dëshirohet që Kisha në Kinë të jetë katolike, duhen respektuar doktrina dhe disiplina e Kishës.

Deklarata e Selisë së Shenjtë përfundon me vërejtjen se “shugurimi ipeshkvnor në Leshan e hidhëroi pa masë Atin e Shentjë i cili, pohohet, dëshiron t’u japë zemër besimtarëve të dashur të Kinës e t’u drejtojë një fjalë ngushëllimi e shprese, duke i ftuar të luten për të qenë, gjithnjë e fort, të bashkuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.