2011-07-01 12:35:01

Çelësi i fjalëve të Kishës (emisioni i 102-të): fjala “shëlbim”


Të dashur dëgjues e lexues, shpesh në Kishë dëgjojmë fjalën “shëlbim”. Por ç’do të thotë kjo fjalë? Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.
Termi “shëlbim” i përket sidomos gjuhës së fesë, por edhe në gjuhën e përditshme, atëherë kur përdoret, ka kuptimin e çlirimit nga nënshtrimi shoqëror, si skllavëria, ose prostitucioni. Ky këndvështrim është kuptimi i parë i shëlbimit, ashtu siç flitet për të në Librin e Daljes, ku përshkruhet ikja e Izraelit nga shtypja egjiptiane. Një nga fjalët hebraike, që do të thotë “çlirim” është “ga’al” dhe përbën rrënjën e një emri me natyrë juridike “go’el”, që do të thotë “shëlbues”.
Ishte një funksion, që e kryente babai i familjes ose kreu i saj. Nëse, për shembull, biri merrej skllav, “go’el”-i, që në këtë rast mund të ishte babai, i vëllai i madh, ose një kushëri i afërt, duhej të impenjohej për ta shpëtuar. Në Bibël, Zoti, në rastin e eksodit, deklaron qartas: “Izraeli është biri im i parëlindur!” (dal 4,22). “Shëlbimi” i popullit hebraik është pasojë e kësaj lidhjeje, që bashkon Izraelin me Zotin, i cili pohon: “Zbrita për t’ju çliruar nga duart e egjiptianëve… Unë do t’ju shpëtoj nga skllavëria dhe do t’ju shpërblej me goditje të fuqishme” (3,8; 6,6).
Pra, shëlbimi është vepër solidariteti e dashurie për atë që ka nevojë, me të cilin kemi lidhje të ngushta farefisnore. Është e qartë se gama e skllavërisë është e gjerë. Edhe mëkati, kur bëhet ves, është skllavëri, por edhe mjerimi, kur nuk varet nga njeriu. Përvijohet kështu një lloj tjetër shëlbimi, ai që bën pjesë në gjuhën e fesë dhe është praktikisht sinonim i “shpëtimit”. Kur Jeremia profet shpall “besëlidhjen e re” të zemrës e jo më të rrasave të gurit, zbulon këtë premtim të Zotit: “Do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta njoh më mëkatin e tyre” (31,34).
Hyjmë kështu në veprën e kryer nga Krishti përmes vdekjes e ringjalljes së Tij, duke qenë se “u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë” (Rm 4,25). Sidomos shën Pali Apostull është ai, që e ngre në qiell këtë “shpërblim, që e fituam në saje të gjakut të Tij” (Ef 1,7). Diçka, që u bë e mundur përmes një gjesti të jashtëzakonshëm e shumë bujar: “Sepse jeni blerë me çmim të lartë!” u thotë Apostulli korintianëve (1 Kor 6,20; 7,23). Ky çlirim nga e keqja e nga mëkati ka një përmasë tjetër, që shën Pali e përsërit shpesh. Krishti na shkuli nga duart e vdekjes në tërësinë e saj morale, shpirtërore e fizike: prandaj, ne “presim shpërblimin e trupit tonë” (Rm 8,23).
Ringjallja bëhet kështu horizonti i fundmë i shëlbimit tonë. Ajo përfshin krejt krijimin, i cili duhet “të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe në lumturinë e bijve të Hyjit” (8,20-21). Shëlbimi është kështu një krijim i ri dhe i përsosur, në të cilin Zoti “duke vendosur paqen më anë të gjakut të kryqit, do të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë, qoftë në qiell” (Kol 1,20). Për këtë arsye, Zoti në Bibël, siç thotë Isaia profet, thirret kështu: “Ti je Ati ynë… Shpëtimtari ynë” (Is 63,16).







All the contents on this site are copyrighted ©.