2011-07-01 19:06:48

Zbulohet, në Napoli, një figurë tjetër e Shën Palit, realizuar në shekullin VI


Një vit pas zbulimit të kubikulit të apostujve në katakombet romake të Shën Teklës, flitet për një zbulim tjetër të madh në katakombet e Shën Gjenarit, në Napoli të Italisë. Restaurimi i një varri në mur, nxori në dritë një figurë të madhe të Shën Palit, që i flet së vdekurës, një gruaje shumë të bukur.
Zbulimi tashmë është datuar: i përket shekullit VI dhe konsiderohet si një nga figurat më të realizuara të lashtësisë së vonë, para se Apostulli i Popujve të dukej në ikonat e qytetërimit bizantin. Fytyra e tij, jashtëzakonisht shprehëse, me cilësitë fizionomike të filozofit, i përngjet portreteve romake të Shenjtit, si dhe atyre, zbuluar pak vjet më parë në oratorin e kriptës së Efezit.
Kështu, mund të themi se kjo figurë përfaqëson ikonografikisht, udhëkryqin e kulturës e të identitetit hebre, romak e grek, që Apostulli i pati mishëruar e që patën karakterizuar veprimtarinë e tij misionare, në të gjithë Mesdheun. Kujtojmë se Shën Pali pati shkelur në Napoli, gjatë udhëtimit të tij të fundit drejt Romës, ku do të burgosej e do të jetonte çastet e mbrame të jetës së tij të jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.