Sot bie 111-vjetori i lindjes së Atë Zef Valentinit, Jezuit
Duke shfletuar kalendari historik, sot më 1 korrik përkujtojmë 111 vjetorin e lindjes
së jezuitit Atë Zef Valentini (1900-1979), një jetë e tërë në shërbim të popullit
e kulturës shqiptare. Veprimtaria e misionarëve jezuitë në Shqipëri u përqendrua
kryesisht në dy fusha: atë të apostullimit e kulturës. Në këto dy fusha ata shkrinë
pa kursim të gjitha energjitë e tyre shpirtërore, intelektuale, morale, duke lënë
pas gjurmë të pashlyeshme. Ndërmjet tyre, i paharrueshmi Atë Zef Valentini, njeriu
me jetë të lodhshme, jezuiti të cilit iu deshën shumë mund, djersë e shqetësime, për
të lënë pas vëllime e vëllime për Shqipërinë e shqiptarët. Atë Valentini lindi
në Padovë më 1 korrik 1900, por jetoi më shumë në Shkodër, ku njohu virtytet racore,
vlerat intelektuale e shpirtin patriotik të popullit shqiptar. Këndej, krijoi një
lidhje të fortë e të sinqertë shpirtërore, e cila ia ushqeu e ia mbajti gjallë dëshirën
fisnike që të punonte për vendin e misionit. Edhe kur u largua nga Shqipëria, s’pushoi
së lypuri ndihma e s’u zhyturi ndër arkiva, në kërkim të dokumenteve të reja për historinë
e vendit, i cili e konsideronte të padëshirueshëm. Mbeti jashtë tij, por duke jetuar
e duke punuar përherë në një mjedis shqiptar. Miqtë e bashkëpunëtorët e tij qenë Ernest
Koliqi, Karl Gurakuqi e tjerë…, me të cilët dha kontributin e vet të vlerësuam e të
vlerësueshëm për dobinë e kulturës shqiptare. I konsideruar si armik nga regjimi
komunist shqiptar, i akuzuar si spiun i Vatikanit, i sulmuar me armën e tmerrshme
të harresës, Atë Valentini vijon të mbetet një nga figurat më të shquara në kulturën
shqiptare e posaçërisht historinë. E gjatë, lista e veprave që shkroi, duke nisur
nga ‘Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para”: ‘Biografi e Garcia Morenos”; përkthimi
i ‘Polieucte’ të Kornejt e ‘ Sauli’ të Alfierit; “Studim mbi hakmarrjen historike
të shqiptarëve’; ‘Kronologji mbi historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në
shekullin XIII; ‘E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”(1956),
“Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”(1969); “E drejta juridike shqiptare”; “Akte
shqiptaro-veneciane të shekujve XIV-XV”; Revista “Letture” (Themeluar prej tij
në vitin 1946 në Itali); “Shkodra dhe poeti i saj” (Kushtuar Ernest Koliqit); ‘Fishta’
(studim për Gjergj Fishtën) etj, etj. Kujtojmë se vetëm në revistën ‘Shêjzat” botoi
mbi njëqind artikuj e studime, që prekin të gjitha fushat e kulturës. Atë Zef
Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar; e fliste dhe e shkruante shqipen
më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë
bërë. Për kontributin e madh që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri,
e kujtojmë sot me nderim të thellë, duke cituar fjalët që tha për Të Papa Pali VI
më 25 prill 1968, me rastin e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut,
në Romë: “Shqiptarë, duenie At Valentinin, se Ai ju dashunon me zemër. Çmonie se Ai
punon pa prâ, për t’ia ba të njohun botës vlerat shpirtnore e artistike tueja. Ai
asht i jueji, pse ia ka kushtue çashtjes suej menden e zemrën e vet”.