2011-07-01 19:07:22

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 3 korrik, Kisha kremton të dielën e 14-të gjatë vitit kishtar e po sot më 3 korrik përkujton edhe shën Tomën Apostull, të cilit iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, duke fituar kështu mbi të gjitha dyshimet e mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij. Këtë ditë bie edhe përkujtimi i shën Leonit II, papë.
Të hënën më 4 korrik që do të përkujtohet shën Izabela e Portugalisë. Liturgjia na kujton se forca e së keqes, edhe kur shfaqet në formën e saj më të tmerrshme e më tronditëse, nuk mund t’i bëjë kurrë ballë pranisë së Zotit, i cili ia vë veshin britmës së njeriut të shtypur padrejtësisht, që e ngre zërin aq, sa të dëgjohet deri te froni i Hyjit.
Të martën më 5 korrik kalendari kishtar përkujton shën Antoni Maria Zakaria, rregulltar. Të brohorasim së bashku me liturgjinë e festës: ‘Të lavdëroj, o Zot, sepse më shëlbove!”. Shën Antoni Zakaria themelues i rregulltarëve Barnabitë dhe i Motrave Engjëllore të shën Palit, na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e tronditin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit! Kujtojmë edhe se këtë ditë Bijtë e bijat e shëna Antonin Maria Zakarisë do të jenë në festë. Prej kohe me mision në Shqipëri, sidomos në Shqipërinë veriore, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre në Fushë Milot.
Të mërkurën e ardhshme më 6 korrik është festa e shën Maria Goretit, virgjër e martire, e papëve të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit dhe e së lumes Maria Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver. Ungjilli i liturgjisë së festës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë. Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë shkandullisht larg nga mëshira hyjnore.
Të enjten që vjen më 7 korrik do të kremtohen shën Asti Ipeshkëv i Durrësit dhe Shën Benedikti XI, papë, që na kujtojnë se kur pajtohemi me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin e vërtetë të krishterë.
Të premten më 8 korrik kalendari kishtar do të përkujton shenjtorët Eugjeni III papë dhe shën Aquila e Prishila, nxënës të Shën Palit. Liturgjia na kujton se nxënësit duhet t’i përngjajnë Mësuesit Hyjnor, që diti të përballojë deri edhe vdekjen mbi kryq për shpëtimin tonë. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi të na njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.
Të shtunë që vjen më 9 korrik, do të përkujtohet shën Agostini Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; shën Adriani III papë e shën Veronika Gjuliani, abateshë, klarise kapuçine. Këta na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të vdekur.
Të dielën e ardhshme më 10 korrik Kisha do të kremtojë të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar e po më 10 korrik kalendari kishtar përkujton edhe shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e kësaj së diele na kujton se Jezusi, kudo shkon, shëron sëmundjet e gjymtimet; turmat rendin pas tij nga të katër anët, ashtu si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.







All the contents on this site are copyrighted ©.