2011-07-01 17:04:42

Papa Faos: egoizmat e spekulimet me ushqimin janë shkaku i urisë në botë. Miliona fëmijë janë të dënuar me vdekje të hershme apo të shfrytëzuar në shkëmbim të një kafshate buke.


Papa Fao-s: për të fituar betejën kundër urisë, duhet një model solidar zhvillimi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të impenjohet, pa vonesë, në betejën kundër urisë, për ta zhdukur një herë e përgjithmonë, duke iu kundërvënë spekullimeve, që vënë në lojë bukën e përditshme të miliona njerëzve. E fuqishme, thirrja e sotme e Papës, i cili priti, në Vatikan, pjesëmarrësit e Konferencës së 37-të të Faos (Organizata e OKB-së për bujqësinë dhe ushqimin). Duke iu drejtuar mysafirëve, Benedikti XVI theksoi posaçërisht rëndësinë e modelit të zhvillimit, që respekton dinjitetin e njeriut dhe nuk i shfrytëzon burimet natyrore vetëm për qëllime fitimi, pa pyetur për të nesërmen e njerëzimit. Papa falënderoi ish-drejtorin e përgjithshëm, Zhak Diëf e, më pas, uroi përzemërsisht drejtorin e ri të Fao-s, brazilianin Hosè Graziano da Silva, për fillimin e detyrës.

Çasti aktual i krizës kërkon të mobilizohen të gjitha forcat, në përpjekjen për ta zhdukur varfërinë, nënvizoi Benedikti XVI që, duke i folur organit drejtues të Fao-s, ripohoi kryesisht impenjimin e Kishës katolike për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve më të varfër. Më pas, Ati i Shenjtë reflektoi për shkaqet kryesore të dramës së urisë, që gjithnjë më shpesh merr pamjen e tragjedisë, me pasojë, vdekjen e mijëra njerëzve në vise të ndryshme të botës e, nganjëherë edhe në ato, që konsiderohen si vende të pasura, ku gjithnjë më shpesh ndeshen pasuria pa cak me mjerimin pa cak. Benedikti XVI nënvizoi se një situatë e tillë nuk mund të shikohet vetëm në këndvështrimin teknik:
“La pauvreté, le sous-développement et donc la faim sont…
Varfëria, prapambetja e prej këndej, uria – vërejti Shenjtëria e tij - shpesh herë janë rezultat i sjelljeve egoiste, që çojnë në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut: posaçërisht, në mohimin e së drejtës që ka çdo njeri për t’u ushqyer e për të mos jetuar me tmerrin e vdekjes nga uria. Si mund të heshtim – ngriti zërin Papa - kur shikojmë se deri ushqimi i përditshëm bëhet objekt i spekullimeve ose lidhet me interesat e një tregu financiar pa rregulla të qarta e me parime të varfëra morale, treg që s’ka etje tjetër, veç asaj të fitimit?”.
“L’alimentation est une condition qui concerne…
Ushqimi – theksoi më pas Benedikti XVI – është një kusht, që lidhet ngusht me të drejtën për të jetuar. Ta sigurosh, do të thotë të veprosh drejtpërdrejt e pa vonesë mbi ato faktorë, që e dëmtojnë rëndë sektorin e bujqësisë. E kjo ndodh - vijoi Ati i Shenjtë - ndërsa, sipas Fao-s e specialistëve me autoritet, prodhimi ushqimor botëror është plotësisht në gjendje ta shuajë urinë e mbarë njerëzimit, duke e zhdukur fantazmën e urisë, që vijon të endet në të katër anët e globit. Prej këndej, mendimi i Papës shkoi kryesisht tek miliona fëmijë, viktima të kësaj tragjedie. Fëmijë - tha në vijim - të dënuar me vdekje të parakohshme, me zhvillim të vonuar fizik e psikik ose të shfrytëzuar në mënyrë të turpshme, vetëm për të siguruar një kafshatë bukë, sa për të mbajtur gjallë frymën. Papa i nxiti të pranishmit të punojnë për një konceptim koherent të zhvillimit, pa u mjaftuar vetëm me ndihmat në rastet e emergjencave: “Le cadre International et les fréquentes…
Kuadri ndërkombëtar dhe shqetësimet e botës së sotme, pasojë e mungesës së stabilitetit dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve – pohoi Ati i Shenjtë – kërkojnë përgjigje konkrete e të njëzëshme, për të arritur ato rezultate, të cilat shtetet ndryshme nuk mund t’i arrijnë, në se nuk bashkohen në betejën për jetën. Kjo do të thotë se solidariteti duhet të jetë kriter themelor për çdo veprimtari politike e për çdo strategji, sepse vetëm kështu veprimtaria ndërkombëtare mund të vihet me të vërtetë në shërbim të mbarë familjes njerëzore e në mënyrë të veçantë, të më të varfërve. Është urgjente, prandaj, gjetja e një modeli zhvillimi, që llogarit jo vetëm shtrirjen e nevojave ekonomike, ose afatet teknike të strategjive, por edhe përmasën njerëzore të çdo nisme, duke u bazuar mbi parimet etike, që të kujtojnë se t’u japësh për të ngrënë të uriturve, nuk është vetëm shprehje e ndjenjave të mëshirës e të njeridashjes, por kryesisht, ligj i shkruar në zemrën e çdo njeriu. Kisha e vë në plan të parë në veprat e saj të dashurisë së krishterë”.
“Dans cette perspective, les institutions de la Communauté...
Në një perspektivë të tillë – vijoi Papa – institucionet e Bashkësisë Ndërkombëtare janë të thirrura t’i mbrojnë vlerat e dinjitetit të njeriut, duke zhdukur sjelljet që pengojnë veprimtarinë e duke iu kundërvënë me të gjitha forcat interesave të veçanta, që paraqiten si interesa të përgjithshme. Edhe Fao - tha Papa - duhet ta gjallërojë veprimtarinë, duke i kapërcyer pengesat, që e largojnë nga Objektivi i Kushtetutës së vet: ta çlirojë njerëzimin nga frika e urisë. Në këtë impenjim, një rëndësi të dorës së parë ka përkimi i plotë i Organizatës me qeveritë në drejtimin dhe mbështetjen e nismave”.
Papa vuri theksin edhe mbi vlerën e familjes fshatare. Model – nënvizoi - jo vetëm për punën, por edhe për shprehjen konkrete të solidaritetit. Ati i Shenjtë e përfundoi fjalimin me thirrjen për t’i siguruar ushqimin e nevojshëm mbarë njerëzimit:
La garantir aux générations actuelles...
T’u garantosh ushqimin breznive të sotme e atyre që do të vijnë – tha Papa – do të thotë edhe ta mbrosh Planetin nga shfrytëzimi i ethshëm i burimeve natyrore, sepse rendja pas konsumit e pas shpërdorimeve, na duket se injoron çdo vëmendje ndaj trashëgimisë gjenetike dhe larmive biologjike, me rëndësi të dorës së parë për veprimtaritë bujqësore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.