2011-07-01 19:10:24

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Në leximet biblike të kësaj së diele të 14-të gjatë vitit kishtar, kthehet tema e dashurisë së Zotit për të fundmët, për ata njerëz që janë të varfër e të mënjanuar. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj diele pohon se Dëftimi i Zotit nuk është manifestim i pushtetit por i afërsisë, besëlidhjes dhe i solidaritetit me njeriun, e në mënyrë të veçantë me njeriun që është i fundit. Edhe paradoksi i krishterimit është pikërisht ky: shpëtimi i Zotit kalon përmes njerëzve që janë të fundmët, të varfër, të vegjël të cilëve u është zbuluar misteri i mbretërisë së Zotit, mister që u fsheh para atyre që konsiderohen të dijshëm e të pushtetshëm.
Mu për këtë arsye lutja e dytë e meshës së kësaj së diele i kërkon Zotit përvujtërinë: “ O Zot, që i dëftohesh të vegjëlve…na bënë të varfër, të lirë e ngazëllues, sipas shembullit të Krishtit Birit tënd…që është zemër butë e i përvujtë”
Leximi i parë i kësaj së diele kumton solemnisht dëftimin e Mesisë në Jerusalem dhe dhuratën e paqes që Ai i sjell botës mbarë. Këtij dëftimi Mesianik i shtohen theksime e nënvizime të reja, që evokojnë profecinë e paqes në Izainë profet e figurën e shërbëtorit të vuajtur: Mesia do të jetë i butë e i varfër e do të vihet në krye të një populli të varfërish.
Liria që jemi fituar në Krishtin, thotë leximi i dytë, është vepër e Shpirtit: Shpirti na bënë pjesëmarrës të jetës së Jezu Krishtit. Mirëpo, kësaj dhurate duhet t’i përgjigjet zgjedhja e përcaktimi jonë i përditshëm për të jetuar në përkim me hirin e Zotit, duke jetuar jo të dhënë pas epsheve të trupit por pas Shpirtit. Vetëm duke bërë të vdesin ‘veprat e trupit’ mund të jetojmë jetën e re që kemi marrë dhuratë prej Krishtit Zot.
Ungjilli i kësaj së diele përsërit fjalët e Jezusit që na thotë: “..ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodhi”. Jezusi na paraqitet zemër butë e i përvujtë, nuk imponon ndonjë barrë që rëndon e shtyp, por vendoset përkrah nesh në udhën tonë për të na ndihmuar në orientimin e cakut e për të na udhëhequr tek Ati Qiellor.
Liturgjia e kësaj së diele të 14-të gjatë vitit kishtar, kundron një aspekt të fytyrës së Jezusit, që Mateu e ka përzemër: butësinë (shpirtbutësinë) e tij. Qysh në kohën e vet, Zakaria profet (I lexim)e pat paraqitur Mesinë e pritur si të përvujtë e të butë, mbi një gomar e jo mbi kali, kafshë lufte. Vërtetë Ai vjen për të kumtuar paqen. Vetëm Mateu, duke cituar tekstin profetik të hyrjes së Jezusit në Jerusalem, saktëson se po vjen si mbret i butë (21,5). E në pjesën e Ungjillit që dëgjojmë në liturgjinë hyjnore të kësaj së diele, është vet Jezusi që dëftohet (shfaqet) si i zemër butë dhe i përvujtë, plot përdëllim: nuk vjen për të imponuar asnjë barrë të rëndë mbi krahët tanë, por për ndarë bashkë me ne peshët tona që na rëndojnë, duke i marrë mbi vete.
Marrëdhënia që Jezusi jeton me ne varën nga mënyra e tij e të qëndruarit para Atit Qiellor. Vet Ai radhitet ndër ata të vegjël të cilëve Hyji u dëfton misteret e veta. Meqë merr gjithçka, edhe mund të thotë: ejani tek unë, ju të gjithë. Ne jemi dhuratë që ai e pranon prej duarve të Atit, për ta ruajtur me butësinë e me përvujtërinë e të varfrit. Me Palin apostull (II lexim) le të kërkojmë që Shpirti i Krishtit të banojë në ne, e të na mësojë e ndihmojë ti përjetojmë të njëjtat ndjenja të tij, ndërmjet nesh e para Hyjit.
Zakaria profet njofton e kumton ngjarjen e Mesisë-mbret, i dërguari i Hyjit: ai vjen në përvujtëri e në butësi, duke shaluar mbi gomar.
Shpirti Shenjt Zot që zbriti në ne në pagëzim është zanafilla (parimi – burimi) jetike e ekzistencës së të krishterë, që udhëhiqet nga Shpirti e nuk qeveriset (drejtohet) vetëm nga arsyet (mendja) njerëzore e aspiratat vetëm tokësore.
Jezusi e bekon Atin qiellor pse ka rezervuar për të “vegjlit” njohjen e sekreteve të hirit hyjnor e gëzimin e Ungjillit dhe ua ka mohuar të diturve e të urtëve, që janë të mbyllur në krenarinë e mendjemadhësinë e tyre.
Më shumë mbi programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit, mund të dëgjoni këtu..... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.