2011-06-30 12:44:26

Selia e Shenjtë në Aiea: Fukushima na mëson se energjia bërthamore ka nevojë për ‘kulturën e sigurisë”.


“Zhvillimi i teknologjisë bërthamore ka nevojë për zhvillimin paralel të kulturës së sigurisë e të ruajtjes së shëndetit, nga rreziku i aksidenteve të mundshme. E kjo nuk ka vlerë vetëm për ata, që punojnë në këtë fushë, por për vetëdijen publike në përgjithësi”. Këtë pohoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, imzot Dominik Mambertì, zëvendës-sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, duke folur në Konferencën ministrore të Agjencisë ndërkombëtare të energjisë atomike (Aiea), mbajtur pak ditë më parë, në Vjenë.
Fantazma e katastrofës së centralit japonez të Fukushimës u end në sallën e Konferencës së Aiea-së, duke ndikuar fuqimisht mbi fjalimet e rastit, edhe mbi atë të përfaqësuesit të Vatikanit, që foli në emër të Selisë së Shenjtë mbi këtë problem, të cilin e quajti “global”. Dëmtimi i centralit të Fukushimës nga tërmeti, e pastaj edhe cunami, me pasojat e tyre dramatike, që çuan në infektimin e njerëzve, të kafshëve e sidomos, të ujit, nga rrezatimet radioaktive, theksoi në mënyrë të veçantë imzot Mambertì, e bëjnë të domosdoshme kërkesën që autoritetet e impenjuara në krizën japoneze, të vijojnë veprimtarinë me transparencë të plotë e në bashkëpunim të ngushtë me Aiea-në.
Gjithsesi, theksoi në vijim, tragjedia e Japonisë ngre një mori pyetjesh, që kërkojnë përgjigje: “A është e ligjshme të ndërtosh ose të ruash reaktorë operativë bërthamorë në territoret, që janë të rrezikuara nga tërmetet? Teknologjitë bërthamore, ndërtimi i centraleve të reja atomike, ose veprimtaria e përhershme e atyre ekzistuese, a e përjashtojnë gabimin njerëzor, në fazat e përpunimit, të funksionimit apo të emergjencës? Vjen, pastaj, problemi i mprehtë i çmontimit të reaktorëve të vjetruar bërthamorë, që ngre pyetje të tjera: “Ç’ duhet bërë me materialin bërthamor? Ç’gjë e, sidomos, kush rrezikohet të flijohet? Ç’duhet bërë me mbetjet radioaktive? Të shkarkohen mbi shpatullat e breznive që do të vijnë? A janë shtetet të gatshme të marrin masa për sigurinë edhe mbrojtjen e shëndetit e të jetës së njerëzve? Në se po, kush do t’i kontrollojë?
Pyetje me rëndësi jetike. Përgjigjja - vërejti me realizëm delegati papnor - na çon në përfundimin e padiskutueshëm se pa transparencë, siguri e mbrojtje të shëndetit, nuk mund të flitet për kujdes absolut. E kjo, edhe pse, shtoi imzot Mambertì, një rrezik bërthamor barazi me zero në nivel botëror, është i pamundur, për shkak të ekzistencës së armëve bërthamore dhe të centraleve bërthamore.
Duke pasur parasysh se kështu vihet në lojë jeta e çdo njeriu dhe e mbarë njerëzimit, në plan të parë duhen vënë kërkesat parësore, si mbrojtja e ambientit nga ndotja, nga rreziku i humbjes së biolarmisë, nga efektet e ndryshimeve klimaterike, që lidhen me mbingrohjen e atmosferës. Por pa harruar edhe problemet me afate të gjata, që mund të kenë ndikim negativ mbi sigurinë ushqimore të njerëzimit.
Prej këndej, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë i ftoi shtetet e qeveritë t’i studiojnë politikat e ndërhyrjes jo vetëm në nivel teknik, por edhe në atë kulturor dhe etik. Në se brenda një periudhe të shkurtër – pohoi prelati - masat teknike e ligjore janë të nevojshme për mbrojtjen e materialeve dhe të zonave bërthamore, pasojat shkatërrimtare të të cilave janë të papërfytyrueshme, atëherë, me afate të gjata, duhen menduar edhe masat parandaluese, të cilat duhet të depërtojnë në rrënjët e thella kulturore e shoqërore.
Selia e Shenjtë i shikon si të domosdoshme programet e formimit për përhapjen e kulturës së sigurimit e të mbrojtjes së shëndetit, si në sektorin bërthamor, ashtu edhe në vetëdijen publike, parë në përgjithësi. Duhet edukuar në kulm vetëdija mbi pasojat e mundshme të veprimtarisë së atyre, që punojnë në këtë sektor. Siguria e shtetasve, theksoi me forcë prelati, varet nga shteti, por pa harruar kurrë përgjegjësinë që ka çdo njeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.