2011-06-30 15:57:22

Papa në mesazhin drejtuar ‘L’Osservatore Romano-s” me rastin e 150 vjetorit: “Në qendër të vëmendjes, përsëri, ekumenizmi, gratë e bioetika”.


“Gazetë idesh, organ formimi e jo vetëm informimi”: Kështu e përkufizon Benedikti XVI gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, e cila nesër mbush 150 vjet jete, duke kujtuar udhën e gjatë e domethënëse, prej më se një shekulli e gjysëm.
Më 1 korrik, pra, është ditëlindja e zëdhënëses së Selisë së Shenjtë, së cilës sot i arriti mesazhi i urimit nga ana e Papës, së bashku me disa porosi për ardhmërinë: “Vëmendje për Lindjen e krishterë, për impenjimin eukumenik të Kishave e të bashkësive të ndryshme kishtare, miqësinë dhe bashkëpunimin me hebraizmin dhe me fetë e tjera, debatin dhe ballafaqimin kulturor, zërin e grave, temat e bioetikës, me rëndësi të dorës së parë për të gjithë njerëzimin”.
Kështu shkruan Papa, që kërkon të shikojë në faqet e gazetës edhe firma të reja, bashkëpunëtorë të rinj, përmasa të reja ndërkombëtare, të cilat nuk i kanë munguar së përditshmes as në të kaluarën e gjatë e të lavdishme.
L’Osservatore Romano – thekson Ati i Shenjtë - di ta shprehë miqësinë e përzemërt të Selisë së Shenjtë me njerëzimin e kohës sonë, në mbrojtje të njeriut. E kështu bëhet pikëmbështetje për shoqëritë, edhe për ato të traditës së krishterë, në të cilat vërehen prirje për ta zhvendosur Zotin nga horizonti i njerëzve.
Pas 150 vjet historie - vëren Papa - gazeta ‘L’Oservatore Romano' mund të ecë me krenari në udhët drejt së ardhmes, me të njëjtin gëzim, të njëjtin hir, pavarësisht nga vështirësitë, e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj krejt të veçantë, si e përditshme që bën të njohur në botë Magjisterin e Papëve e si mjet i zgjedhur shërbimi i Selisë së Shenjtë dhe i Kishës.
Kujtojmë se gjatë 150-vjetëve, në gazetën vatikanase është pasqyruar shumë herë edhe historia e popullit shqiptar dhe e Kishës shqiptare. Deri më sot nuk dimë të jenë bërë përpjekje serioze për ta rinxjerrë në dritë këtë histori, nga faqet e koleksioneve shekullore, të ruajtura me kujdesin më të madh, të zëdhënëses së Papëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.