2011-06-30 15:57:10

Papa kryeipeshkvijve të rinj metropolitë: mos vini asgjë mbi Krishtin e forconi lidhjen e posaçme me Pasardhësin e Pjetrit.



Takim familjar, me frymë të thellë bashkimi kishtar. Benedikti XVI priti, sot paradite, në audiencë, në Sallën e Palit VI, kryeipeshkvijtë metropolitë, që morën dje Palion e Shenjtë, së bashku me familjarët e besimtarët e tyre. Duke u folur prelatëve në shumë gjuhë, sepse përfaqësues të shumë kombeve, Papa u ndalua në mënyrë të posaçme tek hallka e pakëputshme, që i lidh kryeipeshkvijtë e rinj me Pasardhësin e Shën Pjetrit.

“Mos vini absolutisht asgjë mbi Krishtitn, sepse edhe Ai nuk vë asgjë mbi ne”: citoi veprën e Shën Çiprianit Benedikti XVI, për t’u treguar kryeipeshkvijve të rinj metropolitë cili është ylli polar për jetën e misionin e tyre. Ati i Shenjtë nënvizoi edhe atmosferën e bashkimit kishtar, që ndjehej fort në audiencën, me pamjen e një takimi të thjeshtë e familjar. Pastaj u dha kryeipeshkvijve të rinj një bekim të posaçëm:
Zoti ju bekoftë gjithmonë e ju ndihmoftë në misionin tuaj të përditshëm ipeshkvnor, në mënyrë që grigja, e cila ju është besuar, të rritet e bashkuar e misionare, e njëzëshme në bamirësi, e patundur në shpresë dhe e pasur me gjallërinë e fesë”.
Duke, folur, më pas, në gjuhën franceze, Papa kujtoi kryesisht vlerën e Palios, që u vuri kryeipeshkvijve të rinj mbi shpatulla në Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit:
“Vous qui avez reçu le pallium…
Juve, që morët palion, simbol liturgjik, i cili shpreh në mënyrë të veçantë hallkën e bashkimit me Pasardhësin e Shën Pjetrit – tha Papa – ju uroj të jeni dëshmitarë gazmorë e besnikë të dashurisë së Zotit, që kërkon t’i bashkojë të gjithë bijtë e vet në një familje të vetme”.
Mbi vlerën e Palios, Papa foli edhe kur iu drejtua kryeiepshkvijve në gjuhën angleze:
“The pallium is received from the hands…
Palio – vërejti – merret nga duart e Pasardhësit të Shën Pjetrit e mbahet mbi supe nga kryeipeshkvijtë, si shenjë e bashkimit në fe e në dashuri, për t’i prirë kështu, Popullit të Zotit. Palio, vijoi Ati i Shenjtë – u kujton kryeipeshkvijve përgjegjësinë krysore: të jenë barinj sipas zemrës së Krishtit.
E lidhjen me Selinë Apostolike Benedikti XVI e theksoi edhe gjatë përshëndetjeve në gjuhën spanjolle. Ati i Shenjtë e përfundoi bisedën me sivëllezërit, duke folur në gjuhën italiane. Falënderoi Zotin që, me mirësinë e tij të pambaruar, vijon t’i dhurojë barinj Kishës dhe i siguroi të gjithë për afërsinë e tij:Ju, të dashur kryiepshkvij metropolitë, ju siguroj për afërsinë time shpirtërore e për lutjen time drejtuar Zotit, që t’ju ndihmojë në shërbimin tuaj baritor, që ka si kërkesë kryesore, dashurinë për Krishtin. Mbi Të nuk duhet të vini absolutisht asgjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.