Më 30 qershor kalendari kishtar përkujton Martirët e parë të Romës.
Sot më 30 qershor Kisha kremton festën e martirëve të parë të Romës, gjurmët e të
cilëve janë në 15 katakombet në qendër e në jug të Italisë. Në katakombe njihemi me
dëshminë e besimtarëve të bashkësive të para të krishtera, martirëve të Kishës së
parë, që na lanë si trashëgim gjakun e tyre të derdhur për Krishtin. Dhe e derdhën
këtë gjak në rrethana rrënqethëse e tejet tragjike. Disa, të veshur me lëkura egërsirash,
iu hodhën qenve të uritur, të cilët i shqyen sakaq. Të tjerë u kryqëzuan, si Mësuesi
Hyjnor, Jezu Krishti Shpëtimtar. Të tjerë, akoma, u ngulën në hunj e pasi i lyen me
peshkve, u kthyen në pishtarë për të ndriçuar netët romake. Rrëfimi makabër
i Kornelio Tacitit, në librin XV të Analeve të tij, përmbledh gjithë këtë mizori,
gjithë këto mundime që provuan të krishterët, duke nisur nga 19 korriku i vitit 64
mbas Krishtit, kur në Romë shpërtheu një zjarr i tmerrshëm, që shkrumboi një pjesë
të mirë të kryeqytetit të perandorisë romake, asokohe nën sundimin e zjarrvënësit
Neron. Eshtrat e tyre u mbartën me nderim të thellë dhe u varrosen në 15 katakombe
të krishtera që gjinden në Romë e në Lacio, në Toskanë, në Umbrie, në Kampanjë e në
Sicili. Atje pushojnë në Tënzonë nën rrugët e banesat, që ngrihen mbi eshtrat e tyre,
ku ecin, punojnë e jetojnë njerëzit e shekullit të globalizimit. Njerëz përmbi eshtra,
të cilat nga nëntoka tregojnë histori sa të lemerishme, aq heroike e frymëzuese, të
cilat vijojnë të përsëriten në anë të ndryshme të botës, sepse Neroni duket përsëri
herë në një skaj e herë në një skaj tjetër të Planetit. E bota shqiptare e kupton
fare mirë ç’do të thotë të kryqëzohesh e të kthehesh në pishtar simbolik, për të ndriçuar
në mes të errësirës së diktaturës, kur njerëzit rrezikohen të rrëzohen, sepse nuk
shihet asnjë dritë. Eshtrat e kampionëve romakë të fesë pushojnë ndër sirtarët e
hapura në muret e katakombeve, që simbolikisht quhen ‘bujtina’, ndërsa shpirtat e
tyre tashmë gëzojnë jetën e vërtetë, pasi e kaluan me sukses provën e madhe, martirizimin
për shkak të fesë së tyre në Krishtin e Gjallë. E si dëshmi e rikujtim i kësaj
prove kaq të vështirë, në katakombet romake të Shën Kalistit, para disa vitesh Komisioni
Papnor i Arkeologjisë Kishtare ka organizuar leximin skenik të biografisë së disa
martirëve të epokave e vendeve të ndryshme, duke nisur nga Shën Tarçizi, tek Shën
Tomas Mori. Nismë me vlera, tepër aktuale, që na kujton martirët tanë, të cilët
u torturuan mizorisht jo shumë kohë më parë, siç qenë torturuar martirët e lashtë,
të cilët u dogjën me zjarr, u mbytën e u flakën në gropat e ujërave të zeza, u vranë
pasi u kishin sharruar këmbë e duar, u lanë të pushkatuar, mbi grumbujt e plehut,
që t’i shikonin të gjithë e të tmerroheshin nga pamja e tyre çnjerëzore, deri tek
martirët e kohëve tona që u vranë me torturat më të përbindshme dhe u zhdukën pa gjurmë,
ndoshta u hedhën në gropa të panjohura, në rrethinat e qyteteve të mëdha e të vogla
apo në fusha e male në zona të thella. Në trevat shqiptare s’ka katakombe, qytete
të vdekurish që shtrihen pafund qyteteve të të gjallëve, por gjithsesi nga varret
e panjohura nën dheun e trojeve shqiptare, kur e kur ndjehet zëri i atyre që derdhën
gjakun për fenë në Krishtin, për dashurinë ndaj Krishtit Zoti e ndaj popullit e atdheut,
tani një numër prej tyre janë në pritje për t’u lartuar në nderimet e elterit, ashtu
si martirët e kohëve të para të krishterimit, sepse edhe këta e dhanë të njëjtën
dëshmi për Krishtin e njeriun. Do të ishte tepër prekës leximi skenik i biografive
të martirëve shqiptarë në skenat e varrezave, ku pushojnë në Zotin. Këtë na kujtuan
sot Martirët e parë të Romës së krishterë!