2011-06-29 17:03:51

Urim për 60-vjetorin e meshtarisë së Papës, shkruar mbi pergamenën e qiellit, me fishekzjarre!


Një shfaqje prekëse, me tinguj e ngjyra fishekzjarresh në qiellin blu romak, për 60-vjetorin e meshtarisë së Benediktit XVI.
Në 60-vjetorin e meshtarisë së Papës, Roma shpreh gëzimin e vet e njëkohësisht urimin, me një festë të vërtetë ngjyrash e tingujsh, duke organizuar një shfaqje, që njihet si “Rrotullaku i Kështjellës së Shën Engjëllit”. Shfaqja, me një bukuri të rrallë, në program për sonte, në orën 22.00, në Kështjellën e lashtë, në zemër të Qytetit të Amshuar, organizohet nga Komuna e Romës. Është hera e katërt, që jepet një shfaqje e tillë, me origjinë të lashtë, organizuar fillimisht qindra vjet më parë, nga Mikelanxhelo e ripunuar, më pas, nga Bernini, për të kujtuar mrekullinë e 29 gushtit të vitit 590, kur Papës Gregori i Madh, në sa kryesonte procesionin drejt Kështjellës, që njihej si Mauzoleu i Adrianit, iu duk Kryeengjëlli Mikel me një formë drite verbuese: të nesërmen e kësaj dite, kolera, që po shkretonte Romën, u ndalua mrekullisht e Mauzoleu i perandorit romak, Adrianit, qysh aso kohe u quajt “Kastel Sant’ Angelo’.
Traditë shumëshekullore, kjo e Girandolës, e rizbuluar pak vjet më parë, falë punës durimtare të historianit Gjuzepe Paseri, punonjës i Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë.
Historikisht festa nisi të organizohej në kohën e Sikstit IV, në vitin 1481, për t’u riorganizuar çdo vit për Pashkë, për festën liturgjike të Shën Pjetrit e Palit dhe për kurorëzimin e papës së ri.
Të pranishëm në një festë të tillë, në rrjedhë shekujsh, shumë nga figurat e ndritura, emrat e të cilëve kanë hyrë tashmë në fondin e artë të kulturës botërore. Girandolën e gjejmë të përshkuar në veprën e Dikensit e të Belit si dhe në ditaret e shumë vizitorëve të shquar, që erdhën në Romë, gjatë Shtegtimit të madh evropian. Vijoi të organizohej edhe më pas, disa herë në vit, deri në vitin 1866, kur trazirat e jetës së kombeve e të njerëzve, e lanë në harresë për më se një shekull këtë mrekulli dritash e tingujsh.
Veçantia e festës, që do të shfaqet sonte për nder të Papës Racinger, në 60-vjetorin e meshtarisë së tij, është se do të shpërthejnë buqeta tejet origjinale lulesh, pikturuar me fishekzjarre, në pesë pika të ndryshme të Kështjellës së moçme; do të ndizen 600 qirinj romakë e do të flaurojnë nga qielli, ujvara dritash, duke krijuar një pamje të pashoqe e të paharrueshme, për ata, që do të kenë fatin të jenë të pranishëm.
Sonte Roma do të shkruajë me fishekzjarre në pergamenën blu të qiellit, urimin për ipeshkvin e vet: “Gëzuar, Atë i Shenjtë, 60-vjetorin e meshtarisë! Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.