2011-06-29 10:20:29

Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj më ‘romakja’ mbi të gjitha festat. Reflektim i atë Federiko Lombardit.


Një festë, që flet për bashkim me Papën, për ekumenizëm, për lidhje me Romën. Solemniteti i Shën Pjetrit e Shën Palit, Apostuj, që kremtohet më 29 qershor, i përfshin të gjitha këto, që prej shumë e shumë kohe. Për kuptimin e këtij solemniteti, foli drejtori i përgjithshëm të Radios sonë, atë Federiko Lombardi.
Festa e Shenjtorëve Pjetër e Pal është ‘më romakja’ ndërmjet festave. Në të vërtetë Roma është kjo që është për Kishën universale, pikërisht sepse vend i martirizimit dhe i varreve të dy apostujve të mëdhenj.
Në këtë festë, në Romë vijnë kryeipeshkvijtë e rinj, të emëruar gjatë vitit, për të marrë nga dora e Papës ‘palion’, të cilën do ta mbajnë mbi shpatulla gjatë kremtimeve liturgjike, si shenjë bashkimi me të, në udhëheqje të kishave të tyre e në kujdesin për bashkimin e Kishës universale. Paliot ruhen në kamaren më pranë varrit të Pjetrit, nën elterin qendror të bazilikës, pikërisht poshtë kupolës së madhe, ku rreh zemra e bashkimit të Kishës.
Në këtë festë, në Romë vjen edhe një delegacion i Patrikut ekumenik të Kostandinopojës, për të shprehur vëllazërimin ndërmjet Kishave ortodokse e Kishës katolike, me shpresën e bashkimit më të plotë. Nga Roma, qysh prej dymijë vjetësh, drejtohen sytë e atyre, që besojnë, shpresojnë e punojnë për bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin.
Në Romë shtegtari vjen për të rigjetur dëshmitë e kësaj historie të trazuar, plot pasion, për bashkim. Vështrimi i Apostujve, të nderuar e të pranishëm këtu, që nga kohët më të lashta, siç e dëshmojnë edhe zbulimet e kohëve të fundi në katakombet e Shën Teklës, na shoqëron në udhën tonë.
Feja e fortë e pasardhësit të Pjetrit, leximi që i bën ngjarjeve, i prirë nga Shpirti Shenjt, mbetet pikëmbështetja më e sigurt për ke dëshiron të ndjekë Jezu Krishtin, së bashku me besimtarët e tjerë, në rrjedhën e përditshme të ngjarjeve të historisë sonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.