Dy Apostujt Shën Pjetri - "Shkëmbi" dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të
nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz feje e dashurie, pasi
përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët,
për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin
edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë emrat e tyre në historinë
e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit simbolik që është
i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër botë. Në "Besojmën
e Pjetrit", mund ta ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme, pavarësisht nga ndarjet
që gjatë shekujve e copëtuan unitetin e Kishës, me pasoja që vijojnë edhe sot e kësaj
dite. Prandaj në Solemnitetin e Shenjtërve Pjetër e Palë, Kisha vë gjithnjë theksin
mbi kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme e Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës
dhe e Ipeshkvit të Romës. Kujtojmë se Zoti e mbiquajti Simonin - Çefë, që do të
thotë Pjetër – Shkëmb. Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb dëshiron të themelojë
Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit pushtetin e çelësave (krh. Mt 16,
17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit është e pandashme nga detyra
baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit. Të gjithë ungjilltarët nënvizojnë
se Shën Pjetri e shpreh besojmën e tij atëherë kur Jezusi, pas predikimit në Galile,
niset vendosmërisht drejt Jerusalemit, për të përmbushur, me vdekjen në kryq e me
ngjalljen, misionin e tij shëlbues. Nxënësit janë të lidhur ngushtë me këtë vendim. Jezusi
i fton të zgjedhin rrugën që do t’i dallojë nga turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish
që besojnë në të, familja e tij, fillesa e Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë
e ta njohim në dy mënyra: njëra është ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve
– më depërtuese e më e vërtetë. Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush
jam unë? e “Po ju, kush thoni se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen
e kësaj perspektive, që ndryshon nga ajo e turmës. Njerëzimi mendon se Jezusi është
profet. Nuk është pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtatshëm. Është e
nevojshme të hyhet shumë më thellë, të njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit,
e reja që sjell Krishti. Edhe sot është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por
duke e parë thjeshtë nga jashtë. Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore
e morale dhe ndikimin mbi historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin,
me Sokratin, me dijetarë e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk
arrijnë të kuptojnë se ai është unik. Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga
themeluesit e mëdhenj të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar
bindjet e veta. Si atëherë, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë,
Jezusi na e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht
kur na drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti,
Biri i Hyjit të gjallë!”. Jezusi i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke dalluar
në të dhuratën e veçantë të fesë që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej buron edhe
përvoja unike e Simon Pjetrit: “Paralelizmi ndërmjet Pjetrit e Palit është kuptimplotë,
por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës historike të Simonit me Mësuesin e Zotin e
tij, që i dha qysh në fillim cilësitë e shkëmbit, mbi të cilin do të themelonte bashkësinë
e tij të re, Kishën”. Kujtojmë se në Ungjijtë sinoptikë, shpallja e besojmës nga
ana e Pjetrit pasohet gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton mundimet e tij të afërme.
Është një kumt, që e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse nuk arrin akoma ta kuptojë
Zotin. E megjithatë është një element themelor, për të cilin Jezusi ngul këmbë me
forcë. Kuptohet, prej këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon kuptimin e vet të plotë,
vetëm në se ky njeri, që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë Biri i Hyjit. Rruga drejt
lavdisë është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit e çdo kohe, që në mënyrë
të pashmangshme shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore e jo sipas Zotit”. “Edhe
sot, si në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën e drejtë të fesë, është e
nevojshme ta mësojmë nga vetë Zoti se ai është shëlbues e se na e tregon rrugën në
të cilën duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë se edhe besimtari e ka të vështirë ta
pranojë kryqin. Instinkti e shtyn t’i largohet e tunduesi, të mendojë se do të ishte
më urti të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir të besnikërisë e të
dashurisë”. Edhe sot shumëkush e ka tepër të vështirë të pranojë se Jezusi i njeh
vetvetes të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk arritën ta kuptojnë
menjëherë se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë në fe, për ta marrë
vesh këtë të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim, që lind nga
përvoja e Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por duhet të përparojë
akoma për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt”.