2011-06-29 10:40:57

Palio është simbol bashkimi me Kishën e Romës.


Në solemnitetin e shën Pjetrit e Palit Apostuj, Papa, në Bazilikën e Vatikanit, gjatë kremtimit të Eukaristisë Shenjta, pra të Meshës Shenjte bashkë me disa kryeipeshkvij metropolitë të ri, këtyre u vendos mbi supe simbolin e Palios së Shenjtë, shenjë e bashkimit të Kishave vendore me Selinë e Shenjtë Apostolike.
Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qengja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor, për t'u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.
Shumë e pasur është edhe simbolika e Palios - një fashë leshi e bardë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose emërimit, ipeshkvi metropolit duhet të marrë nga papa palion.
Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë betimin për besnikëri.
Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij kishtare në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo.
Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.
Pra, Stola e Palios, që sot i dorëzohet nga Papa kryeipeshkëvijve të ri metropolitë, qe bekuar nga Benedikti XVI dhe metropolitët një nga një shkojnë para Atit të Shenjtë, i cili u vendos mbi shpatulla simbolin e Palion e Shenjtë.
Në planin historik, bashkimi me Selinë e Shenjtë Apostolike u siguron Kishave lokale “lirinë nga pushtetet e qeveritë lokale, kombëtare apo mbikombëtare, që në disa raste mund të pengojnë misionin e Kishës. Në fakt, çdo vit, kryeipeshkvijtë e ri metropolitë vijnë në Romë për të marr simbolin e Palios që duhet kuptuar në “domethënien e vet që ka, si gjest bashkimi”. Tema e lirisë së Kishës, në këtë vështrim, ofron një çelës të rëndësishëm leximi:
Kjo duket qartë në rastin e Kishës që preket nga persekutimet, apo asaj që pëson ndërhyrje politike e sprova tjera të ashpra. Por kjo nuk është më pak e dukshme as në rastin kur Komuniteti i krishterë që pëson ndikimin e doktrinave të gabuara e devijuese, apo të tendencave ideologjike e praktikave që janë në kundërshtim me Ungjill. Prandaj në këtë këndvështrim, simboli i Palios bëhet një peng lirie, i ngjashëm me ‘zgjedhën’ e Jezusit, që ai na fton ta marrim, secili mbi shpatulla të veta”.( Benedikti XVI në festën e shën Pjetrit e Palit më 29.06.2010 në Vatikan)







All the contents on this site are copyrighted ©.