2011-06-29 11:50:55

Mirënjohja e Benediktit XVI për 60-vjetorin e meshtarisë: Zoti, me mirësinë e shpresën e Tij, na bëri miq!


Një reflektim i gjatë, intim, kushtuar meshtarisë, miqësisë krejt të veçantë, që lidh meshtarin me Krishtin, bazuar mbi kujtimet e 60-vjetëve të misionit meshtarak, pikërisht në ditën, kur kremton 60-vjetorin e shugurimit. Ishte në qendër të vëmendjes në homelinë e Papës, gjatë Meshës solemne, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit, në solemnitetin e Shenjtorëve Apostuj, Pjetër e Pal. Duke menduar për vitet e gjata të misionit meshtarak, sot plot gjashtëdhjetë, Papa, ndërmjet tjerash, tha: “Në këtë orë, ndjej shtytjen të shikoj me sytë e mendjes rrugën e përshkuar gjatë gjashtë dhjetëvjeçarëve. Ndjej shtytjen t’ju them ju, të gjithë meshtarëve e ipeshkvijve, ashtu si edhe besimtarëve të Kishës, një fjalë guximi e shprese, një fjalë, që buron nga bindja se Zoti është i mirë. Por duhet theksuar se, mbi të gjitha, sot është dita e mirënjohjes: mirënjohje ndaj Zotit, për miqësinë që më dhuroi e që dëshiron të na e dhurojë të gjithëve. E mirënjohje ndaj njerëzve, që më edukuan e më shoqëruan në çdo hap të jetës sime meshtarake.
Gjatë liturgjisë, Papa bekoi e vuri mbi supet e 44 kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, Paliot e shenjta; pesë prelatëve të tjerë, Paliot do t’u dorëzohen në selitë e tyre metropolitane.
Sipas traditës, në Meshën e sotme, ishte i pranishëm edhe një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.







All the contents on this site are copyrighted ©.