“11 shtatori”: një libër mbi historinë e të mbijetuarve, 10 vjet pas atentatit të
Kullave Binjake
Çfarë bëjnë sot heronjtë e 11 shtatorit 2001, zjarrfikësit e të tjerët, që bënë ç’është
e mundur për t’u ardhur në ndihmë mijëra vetëve, pas atentatit të Kullave Binjake
në Nju Jork? Si ka ndryshuar jeta e të mbijetuarve dhe e familjarëve të viktimave?
Këto janë pyetjet, me të cilat fillon libri “11 shtatori. Një histori që vazhdon”,
shkruar nga kolegu i radios sonë, gazetari Alesandro Xhizoti, publikuar nga Shtëpia
Botuese “Effatà”. Hyrja është shkruar nga kardinali Frensis E. Xhorxh, kryeipeshkëv
i Çikagos, ish-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Amerikane. Në mikrofonin tonë, vetë
autori flet mbi përmbajtjen e librit: 11 shtatori e ka ndryshuar jetën e të
gjithëve, por sa e ka ndryshuar jetën e policëve, të zjarrfikësve të Nju Jorkut, të
atyre, që në Nju Jork e në Uashington, humbën një mik, ose një familjar? Nga këto
pyetje filloi gjithçka. Në përvjetorin e dhjetë të sulmit mbi Kullat Binjake, por
edhe mbi Uashington e mbi Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se avioni u përplas në Pensilvani,
u përpoqa të kuptoj si ka ndryshuar jeta e njerëzve, përtej ngjarjes së madhe historike
në sfondin e këtij libri. Pas dhjetë vjetësh, cilat janë ndjenjat e amerikanëve,
kur mendojnë për atë tragjedi? Duke i parë në sy njerëzit, që takova në Uashington
dhe në Nju Jork e duke dëgjuar emocionin e zërit të tyre, kuptova se kjo faqe e historisë
akoma nuk është mbyllur, pashë se plaga është akoma e thellë. Ka ndjenja kontradiktore
ndërmjet familjarëve të viktimave, personave të ndihmës së shpejtë, policëve, zjarrfikësve
dhe atyre, që e kanë përjetuar drejtpërdrejt tragjedinë e 11 shtatorit. Nga njëra
anë, dëshira për të ecur përpara. Në një farë mënyre, libri im mund të ishte titulluar
edhe “12 shtatori”, pasi flet kryesisht për një ditë më pas, për mënyrën si ka ndryshuar
jeta pas 11 shtatorit të vitit 2001. Nga ana tjetër, ka edhe ndjenja të tjera, diametralisht
të kundërta me të parat, të atyre, që edhe sot, pas dhjetë vjetësh, nuk kanë arritur
ta metabolizojnë ngjarjen. Duhet të kemi parasysh edhe se çdo ngjarje tragjike, çdo
vajtim në zemrën e një personi, amplifikohet sa herë kujtohet 11 shtatori. Imagjinoni
ç’do të ndodhë këtë vit, me rastin e 10-vjetorit të atentateve. Zia nuk është më personale,
por bëhet kolektive. A ka ndonjë dëshmi, që ju ka mbetur në mend më shumë
se të tjerat? Në parathënien e librit, vë në dukje se nuk ishte e lehtë ta
shkruaje, sepse t’i marrësh vesh historitë duke lexuar një artikull, duke dëgjuar
një intervistë, ose duke parë një film nuk është njësoj si takimi personal me njerëzit,
mundësia për t’i përqafuar, për ta ballafaquar jetën tënde me të tyren, familjen tënde
me të tyren… Është e vështirë të zgjedh njërën prej historive, sepse secila më ka
dhënë diçka të veçantë, që shpresoj do t’u përçohet edhe lexuesve. Mund të veçoj njërën,
një familje të Baltimorës, e cila nuk mundi të më takonte për të më treguar historinë
e vajzës së tyre, vdekur në avionin, që ishte drejtuar për nga Shtëpia e Bardhë, por
u përplas në një fushë të Pensilvanisë… U kisha kërkuar të shiheshim, por nuk ia dolën
dot. Tepër emocione! M’u përgjigjën me e-mail, duke më shkruar se cilat ishin vështirësitë
dhe emocionet e tyre. E kjo na thotë shumë: dhjetë vjet më vonë, akoma ka njerëz,
që nuk arrijnë të flasin drejtpërdrejt për një tragjedi kaq të madhe.