2011-06-28 15:46:09

Kardinali Rilko: janë 400 mijë, të rinjtë e regjistruar për DBR-në e Madridit


Kanë arritur shifrën prej 400 mijë vetësh, të rinjtë e regjistruar formalisht në Ditën Botërore të Rinisë, e cila do të zhvillohet në Madrid të Spanjës, nga 16 deri më 21 gushtin e këtij viti. Atyre u duhen shtuar 14 mijë meshtarët, 744 ipeshkvijtë, prej të cilëve 263 ipeshkvij-katekistë. Këto janë disa nga numrat, që karakterizojnë këtë ngjarje të madhe rinore, paraqitur sot në Vatikan nga kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislav Rilko. Prelati dha edhe të dhëna të tjera: 250 do të jenë vendet, ku do të bëhet katekizëm në 30 gjuhë të ndryshme; 700 mijë, kopjet e katekizmit për të rinj YouCat, shpërndarë në 6 gjuhë; 24 mijë, vullnetarët; 68, dioqezat spanjolle, që do të presin shtegtarët.
“ Në këtë periudhë përgatitjeje – theksoi kardinali Rilko në konferencën për shtyp – Kisha spanjolle rizbuloi vetveten dhe pasurinë e saj të madhe shpirtërore, jo rrallë, e fshehur dhe e padukshme për një vëzhgues të pavëmendshëm”. Kardinali kujtoi se një nga arsyet e zgjedhjes së Madridit, si vend për Ditën Botërore të Rinisë me temë “Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe”, është nevoja, që Evropa të rigjejë rrënjët e saj të krishtera. Në konferencën e shtypit ishin të pranishëm e folën me gazetarët edhe kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Antonio Maria Ruoko Varela dhe drejtori i komunikimit për Ditën Botërore të Rinisë, Jago de la Sierva.







All the contents on this site are copyrighted ©.