Universiteti islamik i Al Azharit propozon një kartë vlerash për respektimin e të
gjitha feve
Në bazën e shtetit të ri egjiptian, dalë nga revoltat arabe, nuk duhet të jetë feja,
por Kushtetuta. Kështu e sheh Egjiptin, institucioni më prestigjioz universitar i
Islamit sunit, Al Azhar. Imami i madh i qendrës, Ahmed El Tajeb, shkruan gazeta vatikanase
“L’Osservatore Romano”, paraqiti këto ditë “Kartën e vlerave të Al Azharit”, ku përvijohen
marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet shtetit dhe fesë islamike, pas revolucionit të 25
janarit. 11 nene, fryt diskutimesh e konfrontimesh ndërmjet intelektualëve dhe autoriteteve
fetare të vendit, kërkojnë një shtet demokratik e modern. Sharia, ligji islamik –
pohohet në Kartë – duhet të mbetet burimi kryesor i legjislacionit, siç parashikon
Kushtetuta aktuale, duke respektuar fetë e tjera, të cilat besimtarët kanë të drejtë
t’i përqafojnë, si edhe duke mbrojtur vendet e tyre të kultit e lirinë e kultit, pa
kufizime. Sipas universitetit Al Azhar, nxitja e ndeshjeve ndërfetare ndërmjet myslimanëve
dhe koptëve duhet konsideruar “krim kundër atdheut”. Është gjithashtu e nevojshme
të ngrihet zëri kundër përdorimit politik të fesë. Ndryshon edhe mënyra e dhënies
së lejes për ndërtimin e kishave të reja. Deri tani, të krishterët i drejtoheshin
presidentit, i cili mund ta zgjaste me vite kthimin e përgjigjes. Sipas ligjit të
ri, nëse miratohet, këtë detyrë e ka guvernatori i përgjithshëm, i cili duhet të vendosë
për lejen brenda tre muajsh. Kisha Katolike mendon se propozimi i Al Azharit është
një hap përpara, por të paktën tri pika të tij duhen rishikuar e përmirësuar.