2011-06-27 17:40:42

Kamboxhia: proces historik kundër katër krerëve të regjimit të përgjakshëm të Khmerëve të Kuq


Kamboxhia bën përpjekje për ta lënë përfundimisht pas regjimin e përgjakshëm të Khmerëve të Kuq, të cilët, nën udhëheqjen e Pol Potit, nga viti 1975 deri në vitin 1979, mbollën terror në vendin aziatik, duke çuar drejt vdekjes rreth 2 milion vetë. Sot, në Fnom Pen, filloi procesi kundër katër krerëve akoma gjallë, të akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Në gjyqin, që zhvillohet me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, të akuzuarit janë deklaruar “të pafajshëm”. Por çfarë ka mbetur sot në Kamboxhia nga ajo periudhë tragjike? Pyetëm pedagogun italian të Kulturës së Lindjes, Emilio Asti:
Së pari, duhet të kujtojmë se gjatë atyre viteve, nga 1975-a në 1979-ën, vit i ndërhyrjes vietnameze në Kamboxhia, regjimi i Pol Potit shkaktoi gati 2 milion viktima. Është një periudhë e tmerrshme, që kamboxhianët duan ta harrojnë me çdo kusht, por akoma sot, janë gjallë familjarët e të martirizuarve të shumtë të atyre viteve. Është e natyrshme, që dikush do të donte t’i bëhej gjyqi krejt regjimit të Khmerëve të Kuq, në mënyrë që të mbyllej një herë e përgjithmonë ky kapitull. Është një operacion i dhimbshëm, por i nevojshëm, që do ta lejonte vendin të merrej më në fund me problemet e pazgjidhura, si zhvillimi i zonave të fshatit, korrupsioni në të gjitha nivelet e shumë çështje të tjera. Ky proces është hapi i parë, por do të duhet kohë që vendi të çlirohet krejtësisht nga e kaluara. Akoma sot, ka njerëz që i kujtojnë tmerret e regjimit. Shoqëria ka pësuar një traumë jo të vogël.







All the contents on this site are copyrighted ©.