2011-06-27 17:41:31

Kah 60-vjetori i shugurimit të Benediktit XVI. Mesha e kardinalit Komastri në Vatikan; intervistë me kryeipeshkvin Forte.


Bashkësia e Etërve agostinianë dhe famullia e Shën Anës, në Vatikan, kujtuan, dje, 60-vjetorin e shugurimit meshtarak të Benediktit XVI, me një kremtim eukaristik, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit. Është një nga nismat e shumta, që vijojnë të krijojnë atmoferën festive të këtij jubileu, të cilin Kisha universale do ta përkujtojë më 29 qershor. Sepse ishte data 29 qershor, pikërisht 60-vjet më parë, kur në elterin e katedrales së Frizingës, në duart e kardinalit Faulhaber, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, 40 kandidatë iu përgjigjen një zëri thirrjes: “Adsum!”(Këtu!). Ndërmjet tyre, Don Jozef Racinger, Papa i ardhshëm Benedikti XVI.
Për të njohur ndonjë hollësi nga jeta meshtarake e Papës, intervistuam imzotin Bruno Forte, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Historia e tij meshtarake bëhet e pasur me mesazhe e domethënie për të gjithë. Jozef Racinger e shkriu jetën, siç u shpreh ai vetë, disa vjet më parë, në shërbim të Fjalës së Zotit, që kërkon e siguron dëgjues, të cilët ia vënë veshin Fjalës së Tij, ndërmjet mijëra fjalëve të njerëzve. Më duket se kjo frazë përmbledh gjithë kuptimin e thirrjes së Benediktit XVI për rrugën e shërbimit dhe të misionit meshtarak. Ai vuri mendjen, zemrën, të gjitha energjitë, në shërbim të Fjalës së Zotit. Përballë një bote, si ajo e rinisë së tij, që ishte tronditur thellë nga totalitarizmat, nga dhuna e nga lufta; përballë një Evrope, që kërkonte arsye për të jetuar e për të shpresuar, pas shkatërrimit të këtyre viteve, ai e ndjeu më shumë se kurrë se ishte urgjente t’u jepej njerëzve i vetmi mesazh, i aftë për t’ua mbushur zemrat e zbrazura me besim e shpresë: Fjala e Zotit të gjallë! E kjo është edhe vula kryesore, që karakterizon papninë e tij.

Pyetje: - Në një një shkrim autobiografik, disa vjet më parë, kur ishte ende kardinal, Papa e quan ditën e shugurimit, dita më e rëndësishme e jetës. Këtë, një meshtar e bari, si ai, e kupton fare mirë...

Përgjigje: - Më lejoni të kujtoj një ngjarje tejet personale. Në shtratin e vdekjes, nëna ime, që kishte nxjerrë në dritë tetë fëmijë, ndër të cilët, mua, të fundmin, më tha: “Dita më e bukur e jetës sime ishte ajo e shugurimit tënd”. Në zemrën time e ndjeva sa e vërtetë ishte kjo fjalë, sepse përmblidhte e shprehte ç’do të thotë shugurim: dhuratë e Krishtit, që na bën pjesëmarrës në rolin e ndërmjetësuesit të njerëzve pranë Zotit e të flijimit të Krishtit Kryemeshtar, në emër të Atit, për shëlbimin e mbarë njerëzimit. Për atë që e kupton këtë në fe, shugurimi meshtarak është vërtet gur themeli; e më duket se 60-vjetori i meshtarisë së Papës mund të na shërbejë të gjithëve, sidomos ne, meshtarëve, për të rizbuluar gëzimin dhe bukurinë e kësaj fillese, gjithnjë të pranishme... Në të njëjtën kohë, mund t’i shërbejë edhe Kishës e botës, për ta kuptuar përsëri bukurinë e meshtarisë katolike, në një çast kur shkandulli i pedofilisë së ca meshtarëve, ka ndikuar mbi opioninin publik, duke i zbehur, padrejtësisht, figurat e mijëra e mijëra meshtarëve, që vijojnë të japin heroikisht dëshminë e Krishtit në jetën e njerëzimit, në të katër anët e botës, ashtu si në të gjithë historinë dymijëvjeçare të Kishës së Krishtit!

Pyetje: - Ç’i uroni Papës për 60 –vjetorin e shugurimit’?

Përgjigje: - T’i shikojë frytet e shumta të veprimtarisë së tij, të jetuar me përkushtim, me fe të gjallë, me gëzim. T’i shikojë në zemrat e shumë burrave e grave të kohës sonë, e sidomos, në ato të të rinjve, falë takimit me Zotin Jezus, që e mbështet në impenjimin e tij të përditshëm për kauzën e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.