2011-06-27 17:38:18

Gjendja në Tunizi, djepi i “pranverës arabe”


“Pranvera arabe”, me protestat dhe manifestimet për ndryshime e reforma në Afrikën e Veriut, ka përjetuar çaste dhune dramatike, që vazhdojnë akoma. Tunizia, konsideruar “djepi” i revoltave, është edhe e para, që ka filluar një proces paqësor tranzicioni drejt demokracisë, pavarësisht se nuk mungojnë problemet e kontradiktat. Për shembull, sot, islamikët e lëvizjes “Rilindja” u larguan nga komisioni për reformat, pasi sipas tyre, ai nuk gëzon legjitimitet popullor, duke mos qenë i zgjedhur me votim të lirë. Të dëgjojmë opinionin e koordinatores së programeve për Afrikën të Komitetit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Popujve, CISP, Debora Rexoalji:RealAudioMP3
Në prag të zgjedhjeve - që janë parashikuar në korrik, por ka shumë mundësi të shtyhen për në tetor - ka aktivitet të madh. Kjo, në kryeqytet, në Tunis. Pjesa tjetër e vendit duket e ndarë nga Tunisi, pavarësisht se kudo, rinia është në punë për përgatitjen e zgjedhjeve e për gjetjen e rrugës më të drejtë për formimin e qeverisë demokratike.
Po në nivelin politik, a kemi vërtet një tranzicion demokratik?
Janë formuar një numër jashtëzakonisht i madh partish: nga 60 në 80 parti. Shoqëria civile po përpiqet të kuptojë ç’ndodh. Njerëzit janë gati të dëgjojnë, të konfrontohen, por për ta, këto zgjedhje janë themelore, sepse nga personat, që do të zgjidhen në asamblenë kushtetuese do të varet përfaqësimi i të gjithëve në pushtet.
Çfarë e dallon Tunizinë nga vendet e tjera arabe?
Kam përshtypjen se ikja e menjëhershme e presidentit Ben Ali, i cili as që u përpoq të qëndronte më tej, mundësoi krijimin e asaj hapësire, që vendet e tjera akoma nuk e kanë. Por, nga ana tjetër, një sërë dinamikash të së kaluarës, zbatuar pikërisht nga Ben Ali, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite në territor, prandaj shndërrimi i shoqërisë është në vazhdim e sipër.
Para se të quhej “pranvera arabe”, protesta njihej si “revolta për bukën”. Nga pikpamja ekonomike, a po ndryshon gjë, apo duhen pritur më parë reformat politike?
Jo, duhet pritur pak, në kuptimin që nuk ka ndonjë zhvillim ekonomik të dukshëm. Jemi në një fazë amullie. Rinia largohet, por jo ata që besojnë vërtet në revolucionin. Kush ikën, e bën sepse ndodhet vërtet në vështirësi, ose nuk ka më mbrojtjen e mëparshme. Por ndokush edhe kthehet, pikërisht për të jetuar këtë fazë tranzicioni.








All the contents on this site are copyrighted ©.