2011-06-27 05:52:13

Drejt 60-vjetorit të shugurimit meshtarak të Benediktit XVI. Fjalët e Papës mbi meshtarinë, dhuratë e Zotit në shërbim të Kishës


Kisha Katolike përgatitet të festojë me nisma të shumta në të gjithë botën, 60-vjetorin e shugurimit meshtarak të Benediktit XVI, më 29 qershor. Meshtarisë, dhuratë e paçmuar e Zotit, Papa i ka kushtuar shumë reflektime, që arritën kulmin gjatë 2010-ës, në Vitin Meshtarak, shpallur me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së meshtarit shenjt Gjon Maria Vianej.
“Një ditë e mrekullueshme vere, që mbetet e paharrueshme si çasti më i rëndësishëm i jetës sime”: me këto fjalë, të thjeshta e të thella, Jozef Racinger e kujton në autobiografinë e vet, ditën e shugurimit meshtarak, më 29 qershor 1951 në katedralen e Frizingës, në Gjermani. Provania Hyjnore desh që pasardhësi i 265-të i Shën Pjetrit të shugurohej pikërisht në Solemnitetin e shën Pjetrit e të shën Palit. Shpesh, Ati i Shenjtë ka nënvizuar se meshtari është i thirrur të shpallë Fjalën e Zotit e jo idetë e veta:
“Ta bëjë të pranishme, në konfuzionin e në çorientimin e kohëve tona, dritën e Fjalës së Zotit, dritën, që është vetë Krishti për këtë botën tonë. Prandaj, meshtari nuk u mëson njerëzve idetë e veta, apo ndonjë filozofi, që e ka shpikur vetë, ose e ka gjetur, ose i pëlqen; meshtari nuk flet nga vetveteja, nuk flet për vete, për të mbledhur rreth vetes admirues, ose për të krijuar partinë e vet; nuk thotë gjëra të vetat, shpikje të vetat, por, në konfuzionin e të gjitha filozofive, meshtari predikon në emër të Krishtit të pranishëm, propozon të vërtetën, që është Krishti vetë, fjala e Tij, mënyra e Tij e jetesës” (Audienca e përgjithshme, 14 prill 2010).
Duke folur para Kongregatës për Klerin, Papa shpjegon se besimtarët presin që meshtarët të jenë deri në fund të tillë, të kenë një jetë profetike e pa kompromis:
“Kemi shumë nevojë për meshtarë që t’i flasin botës për Zotin dhe t’ia paraqesin Zotin botës; njerëz, që nuk shkojnë pas modave kulturore të çastit, por janë të aftë të jetojnë me vërtetësi atë liri, të cilën është në gjendje ta japë vetëm siguria se i përkasin Zotit” (Audienca me Kongregatën për Klerin, 12 mars 2010).
Gjatë Vitit Meshtarak, Papa i inkurajoi meshtarët të rizbulojnë bukurinë e shërbimit të tyre dhe u tregoi edhe si ta bëjnë këtë:
“Duhet të rrimë me Jezusin për të ndenjur pastaj me të tjerët. Kjo është zemra e misionit. Në shoqërinë e Krishtit e të vëllezërve, secili prej meshtarëve mund të gjejë energjitë e nevojshme për t’u kujdesur për njerëzit, për të zgjidhur problemet shpirtërore e materiale që ndesh, për të predikuar me fjalë gjithnjë të reja, të diktuara nga dashuria, të vërtetat e amshuara të fesë, për të cilat kanë etje dhe bashkohësit” (Audienca me Vëllazërinë e Shën Karlit, 12 shkurt 2011)







All the contents on this site are copyrighted ©.