2011-06-27 05:51:12

Benedikti XVI para R.O.A.C.O.-së: të krishterët e Lindjes së Mesme nuk janë të huaj, t'u respektohen të drejtat


Të premten e kaluar, Papa Benedikti XVI priti në audiencë në Vatikan, pjesëmarrësit e asamblesë së Veprave në Ndihmë të Kishave Lindore, R.O.A.C.O. Ati i Shenjtë bëri thirrje për ndihmë humanitare e ndërmjetësim për paqen në vendet e Afrikës së Veriut, ku duhet të ndalë sa më shpejt dhuna. Jozef Racinger nënvizoi se këto vende janë shumë të rëndësishme për paqen dhe qëndrueshmërinë në botë dhe se është e domosdoshme që aty të respektohen të gjitha të drejtat e njerëzve dhe të bashkësive. Duke u nisur nga kjo situatë, “burim shqetësimi për të gjithë botën”, Papa shprehu afërsinë e tij për ata që vuajnë e që përpiqen të largohen me çdo kusht nga dëshpërimi e persekutimi, duke rritur kështu flukset e emigracionit. Pikërisht emigrantët, tha Benedikti XVI, nuk duhen lënë pa shpresë e duhen mirëpritur kudo.
Papa foli edhe për gjendjen e të krishterëve në Tokën e Shenjtë e në Lindjen e Mesme e pastaj iu drejtua anëtarëve të R.O.A.C.O.-s me një thirrje tjetër: “Ju kërkoj të bëni ç’është e mundur – edhe duke përfshirë autoritetet publike, me të cilat jeni në kontakt në nivelin ndërkombëtar – që në Lindje, aty ku kanë lindur, barinjtë e besimtarët e Krishtit të mund të jetojnë jo si të huaj, por si qytetarë, të cilët dëshmojnë Jezu Krishtin, siç kanë bërë para tyre shenjtorët e së kaluarës, edhe ata bij të këtyre Kishave lindore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.