2011-06-24 14:43:02

Papa Racinger priti në audiencë kryeministrin e Malit të Zi Lukshiç


Sot paradite në Vatikan, Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti Kryeministrin e Malit të Z,i shkëlqesinë e tij zotin Igor Lukshiç, i cili, më pas, u takua me hirësinë e tij kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga shkëlqesia e tij imzot Dominique Mamberti, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet,
Në qendër të bashkëbisedimeve qe Marrëveshja-Bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi, që u nënshkrua sot nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit e Kryeministri i Malit të Zi në mbarim të takimit të tyre. Marrëveshja, ka të bëjë, posaçërisht, me njohjen e personalitetit juridik publik të Kishës katolike e të institucioneve kryesore të saj në kuadrin e shoqërisë civile e ripohon kështu marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi, të vendosura qysh në fillim të pavarësisë së Vendit.
Teksti i Marrëveshjes, që do të hyjë në fuqi me shkëmbimin e instrumenteve të ratifikimit, trajton lirinë e pavarësinë e veprimtarisë apostolike të Kishës në Mal të Zi e rregullimin e lëndëve me kompetencë të veçantë, si dhe lirinë e kultit e të veprimit në fushën kulturore, edukative, baritore e bamirëse. Teksti ndalet edhe mbi udhëheqjen e drejtimin e Seminareve, si dhe asistencën shpirtërore në Forca të Armatosura, asistencën shpirtërore nëpër burgje e spitale.
Gjatë bashkëbisedimeve ndërmjet kardinalit Bertone e zotit Lukshiç, janë shkëmbyer mendimet mbi disa tema të aktualitetit ndërkombëtar, në perspektivën e integrimit evropian e euro-atlantik, duke u ndalur mbi angazhimin e Qeverisë malazeze në fushën e promovimit të paqes e të drejtpeshimit ndërmjet popullsive e bashkësive fetare të pranishme në Mal të Zi. Më tutje, u ripohua vullneti për të vijuar dialogun pozitiv mbi tema me interes të përbashkët për Kishën dhe për Shtetin.







All the contents on this site are copyrighted ©.