Papa në Meshën e Korpit të Krishtit: në Eukaristi, rruga për përtëritjen e botës.
Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron
në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë theksoi
Papa në homelinë e Meshës, kremtuar për Solemnitetin e Corpus Domini, të cilën e kryesoi
mbrëmë, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Pas kremtimit, i priu procesionit eukaristik
deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Në përfundim, kur mbi Qytetin e Amshuar
binte nata blu e ditës së dytë më të gjatë të vitit, u dha të gjithëve Bekimin Eukaristik. “Në
Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë,
pastaj edhe jetën tonë, për të përuruar shndërrimin e botës”. Në solemnitetin e Korpit
të Krishtit, Papa i ftoi të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron
vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një
ngjarje, kjo e Kalvarit – shpjegoi Benedikti XVI në homeli – që Zoti e përshpejton
dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer e vera e hedhur
në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udha për bashkimin me Të e shtegu i vetëm
i shpëtimit: “Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën
e Mbrame, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Zotin e, duke bërë kështu,
me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste”. Për
dashuri – vërejti Benedikti XVI – Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë
tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë,
e shndërroi kryqin në akt dhurimi: “E ky është shndërrimi, për të cilin ka
nevojë bota, sepse ia shëlbon shpirtin, i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por
këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë,
në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë”. Prandaj Zoti i dorëzon
botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit
nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishtërimi nuk njeh udhë të shkurtëra
– theksoi Papa – gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës
së grurit, që copëtohet, për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që luan nga vendi malet
me forcën e Zemrës së butë e të përvujtë të Zotit: “Prandaj Zoti
dëshiron të vijojë ta përtërijë njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri
shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës e të verës
së shuguruar, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Krishti
na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të
shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së
njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu
mbillen e piqen, në brazdat e historisë, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë,
sipas planit të Zotit”. Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit
eukaristik, Papa citoi një fragment nga vepra e Shën Agostinit: “Shën
Agostini na ndihmon ta kuptojmëë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një
lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu,
e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por
do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë,
asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala
për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon
ne, kështuqë bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme
me Të”. Kur marrim Kungimin – vijoi Ati i Shenjtë - Krishti na shndrron
në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi
për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa
na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë
pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të: “Kush e pranon
Jezu Krishtin në Hosten Shenjte, e pranon në vllain, që vuan, që ka uri, etje, që
është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu,
që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë
së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie
solidare, të drejtë, vëllazërore. Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën
gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, Krishtërimi mund e duhet të veprojë në mënyrë
që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtetë”.
Ungjilli
– ripohoi Benedikti XVI – synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore,
duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit,
që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria është rruga e vërtetë
e drejtësisë dhe e paqes.