2011-06-24 18:00:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit ‘A’


Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe konsiderohet gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.
I Shenjtueshmi Sakrament i Eukaristisë, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të Madhe të cilën e quajmë të Shenjtë, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, plotësimi i darkës së Pashkëve hebraike e përurim i ritit Eukaristik.
Pra, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!” që janë shenjë e dorëzimit të jetës e të historisë së Krishtit në shenjën e bukës e të vërës eukaristike, në mënyrë që besimtarët të mund të hyjnë në lidhje e bashkimin intime me të. Pra Eukaristia është forcë që shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament vet Zoti është gjithnjë bërë nëpër udhët e njerëzimit e të botës për shëlbimin e amshuar. Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi shpirtërisht me Krishtin, e lejojmë veten të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues e Shëlbues. Kështu jeta jonë njerëzore shkrihet me të Jetën e Tij hyjnore. Ne shndërrohemi në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Në këtë mënyrë Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Krishtin Zot.
Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajtën e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i pagabueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, e do lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
“ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës.
Prandaj në misterin e shenjtë të Korpit e të Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, dhuratën e bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burimi e kulmi i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin, e shpallin lavdinë e Tij të përjetshme dhe ushqehen në gurrën e përjetësisë. Po e mbyllim me këtë lutje të bukur që zakonisht lutët nga besimtarët gjatë Meshës pas Kungimit të Shenjtë në Kishë.
Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!
Kjo është një lutje e përpiluar nga shën Injaci i Lojoles
Këtu mund ti dëgjoni leximet biblike e homelinë....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.