2011-06-23 16:03:23

Çelësi i fjalëve të Kishës: Kisha si Korp i Krishtit!


Sot është festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit. Ndërsa Ati i Shenjtë merr pjesë në procesionin e të Shenjtnueshmit Sakrament nga Bazilika e Shën Gjonit në Lateran në atë të Shën Marisë së Madhe, përmes rrugës Merulana, ne po përqendrohemi sot tek fjala “Kishë”, të cilën shën Pali Apostull e quante “Korpi i Krishtit”.
Fjala “ekklesìa”, që vjen nga greqishtja dhe përmendet 114 herë në Besëlidhjen e Re, e ka rrënjën në foljen “kaléin”, që do të thotë “me thirrë”: prandaj, Kisha është “thirrja” e të krishterëve nga Zoti rreth Fjalës së Tij e rreth eukaristisë, është asambleja e atyre, që janë bashkuar për hir të fesë së përbashkët dhe të dashurisë vëllazërore. E sqarojnë bukur këtë fjalët e shën Palit Apostull në Letrën e parë drejtuar Korintianëve: “Buka, të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm” (1 Kor 10,16-17). Pikërisht, në këtë pohim, përvijohet konceptimi i Kishës si Korpi i Krishtit, që zhvillohet më tej nga Apostulli i Popujve në të njëjtën letër (kapitulli 12).
Ashtu si gjatë ekzistencës së tij tokësore, Krishti na ofroi mesazhin, shëlbimin dhe praninë e tij hyjnore përmes trupit, apo korpit të vet, ashtu edhe tani, vepra e Tij vazhdon përmes atij “korpi”, që është Kisha. Ajo mban mbi vete impenjimin e shpalljes së Lajmit të Mirë, të bamirësisë, të dëshmisë; shumëllojshmëria e saj, siç thotë shën Pali, nuk duhet të jetë burim përçarjesh e ndarjesh, por burim harmonie, njësoj siç janë organet për një trup, ku kryejnë funksione të ndryshme, por të gjithë së bashku kontribuojnë në unitetin e njeriut, mendje e shpirt. Për këtë arsye, Kisha e Jeruzalemit ishte thellësisht e rrënjosur në “koinonì”, pra në bashkimin vëllazëror (Vap 2,42-48; 4,32-35).
Në shkrime të tjera paoline përvijohet edhe një aspekt tjetër, sipas të cilit Kisha është korpi e Krishti është koka (Kol 1,18), duke nënvizuar kështu ndërthurjen e pathyeshme ndërmjet të qenit Hyj e të qenit njeri brenda bashkësisë kishtare. Kështu, Kisha është e dukshme në histori, sipas misionit, që iu besua shën Pjetrit: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time” (Mt 16,18), por bazohet edhe në veprat e apostujve të tjerë e të ministrave, që na paraqet shën Pali në letrat e veta, ipeshkvij, meshtarë, diakoj (1 Tm 3,1-13; Tt 1,5-9).
Një nga detyrat e para të Kishës është ajo e predikimit, me të cilën duhet bashkuar edhe falja e mëkateve (Mt 16,19; 18,18; Gjn 20,22-23). Pastaj, kemi misionin, që u jepet të gjithë të krishterëve përmes Sakramentit të Pagëzimit: “Ju jeni: Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij, që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme” (1 Pjt 2,9). Kisha ka gjithashtu edhe dy pjesë, që plotësojnë njëra-tjetrën: nga njëra anë, bashkësia lokale, e cila mblidhet për të dëgjuar mësimet e apostujve, në bashkim vëllazëror, në eukaristi e në lutje (Vap 2,42), e, nga ana tjetër, Kisha universale, Korp i Krishtit në kohë e në hapësirë.
Portreti i Kishave të ndryshme, që del si nga letrat e shën Palit, ashtu edhe nga Veprat e Apostujve, ose nga Libri i Zbulesës (kapitujt 2-3) është plot me tensione e me mospërputhje, por kjo s’është tjetër, veçse shenja e “mishërimit”, që pasqyron kushtëzimet njerëzore, historike, etnike, kulturore. Merr kuptim atëherë, thirrja për bashkim, që shfaqet shpesh, në mënyrë që Kisha të jetë vërtet një Korp i vetëm i Krishtit, “kripa e tokës dhe drita e botës” (Mt 5,13-14), “duke ruajtur, me ndihmën e Shpirtit Shenjt…thesarin e paçmueshëm të fesë, që iu besua” (2 Tm 1,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.