2011-06-23 17:15:05

Shqipëri: KQZ, numërimi i votave proces i rregullt e transparent


Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në përfundim të numërimit të votave të kontestuara në të 11 njësitë bashkiake të Tiranës, e konsideron këtë proces transparent dhe të bazuar në ligj.
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, në një prononcim për mediat tha se pas numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, të dhënat e mbledhura gjatë këtij procesi, do të përpunohen nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit për të përgatitur pr/aktin, i cili do të miratohet në mbledhjen e KQZ-së.
Zëdhënësi theksoi se procedura e kryer nga KQZ gjatë këtyre ditëve, në urdhëresë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, është konform ligjit dhe e zbatuar në transparencë maksimale.
Sipas Ollit, pritet që nesër KQZ, me përgatitjen e pr/aktit nga administrata e Komisionit, të ketë dhe një tabelë përfundimtare për bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, në një komunikim me mediat, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, duke kontestuar procesin, tha se opozita do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për ta sjellë atë (procesin) në udhën e duhur.
Më 18 qershor KQZ miratoi aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në qendrat e votimit të bashkisë Tiranë, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit. Në zbatim të aktit, në KQZ përgjatë pesë ditëve, tetë grupe numërimi, në prani të vëzhguesve të të dy forcave politike, PD dhe PS, rivlerësuan votat që nuk ishin hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi, përkatësisht: në kutitë për kryetarin e bashkisë Tiranë, për këshillin e bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake.
Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave të kontestuara të gjetura pas hapjes së 1793 kutive, kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha kryeson me 95 vota ndaj kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama.
Ky proces, i përfunduar brenda një kohe të shkurtër nga KQZ, u shoqërua me debate mes palëve lidhur me rregullsinë e procesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.