Festa e Korpit të Krishtit, festë e adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament.
“A është e vërtetë, Zotëri, se Papa ju ka shkruar një Letër?”. Plakës Margo, që fshin
duart me përparëse, i shkëlqejnë sytë. Është në shërbim të famullitarit që kur ishte
15 vjeçe, por një gjë e tillë s’është parë, as dëgjuar. Meshtari vë buzën në gaz. “Margoja
ime e dashur, nuk e ka shkruar për mua, por për të gjithë Kishën. Letra u drejtohet
ipeshkvijve, meshtarëve e edhe besimtarëve, si ju. E duhet sqaruar se nuk quhet ‘letër’,
por ‘bulë’. Kur e shkruan vetë Papa. A dëshiron të ta lexoj” – pyet prifti me një
buzgaz lojcak. “Po, faleminderit”. “Transiturus…” “Po kjo është latinisht!
Më thuaj, pse Papa na shkruan në një gjuhë, që nuk e kuptojmë fare!”. “Sepse i
shkruan mbarë Kishës, e jo vetëm disa njerëzve si unë e si ti. Në se do të shkruante,
për shembull, frëngjisht, italianët ose anglezët nuk do të kuptonin gjë prej gjëje.
Ndërsa në latinisht, e merr vesh gjithë Kisha. Ja, po të bëj një përmbledhje, që ta
marrësh vesh edhe ti për çka flet bula Transiturus. Duke nisur nga ky vit, dmth nga
viti 1264, në kalendar do të shtohet një festë e re, festa e të Shenjtnueshmit Sakrament.
Çdo vit, e diela e parë pas Rrëshajëve do t’i kushtohet, në mënyrë të posaçme, Korpit
e Gjakut të Krishtit, për t’u kujtuar të gjithëve se Krishti është vërtetë i pranishëm
në hoste”. Margo mbetet paksa e zhgënjyer. “Po kjo festë ka qenë gjithnjë: s’e
ka shpikur Papa Urbani. Është festë e themeluar nga vetë Krishti! Të Enjten e Madhe,
një natë para se të vdiste, darkoi me dishepujt e vet. U dha atyre bukën e verën e
u tha: ‘Ky është Korpi im! Ky është gjaku im! Bëjeni këtë në përkujtimin tim’. Kështu
çdo të dielë, në Meshë, buka e vera bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit. E çdo vit, të
Enjten e Madhe, kremtohet Darka e Mbrame e Jezusit e kujtohet, me gëzim, dhurata që
na bëri, duke na lënë Korpin e Gjakun e vet”. “Margo, ju jeni tepër besimtare e
nuk e harroni se Krishti është i pranishëm në bukën e në verën e shuguruar. Por jo
të gjithë të krishterët janë si ju. Shum prej tyre mendojnë për punët e veta ose dyshojnë
për këtë të vërtetë. Kështu festa e Corpus Domini do të jetë rast për t’ua kujtuar
të gjithëve dhuratën që na bëri Jezusi”. “Është ide e Papës sonë kjo?”. “Jo.
Në fillim ishte një rregulltare nga Liezhë, që quhej Gjyliana. Gjashtëdhjetë vjet
më parë, më 1208, pa në vegim një disk, që lëshonte rreze, si dielli. Për shumë kohë
nuk foli fare për këtë vegim e sidomos, iu desh shumë kohë për ta kuptuar. Ishte hostja
e ndritshme. Përmes kësaj figure Jezusi kërkonte të krijohej festa e “Corpus Domini”. “Bah!
Atëherë, në se Hyji e do këtë festë, do ta kremtojmë me gjithë zemër!”. (nga rubrika
e Radio Vatikanit 356 ditë)