U hap sot në Muzetë e Vatikanit salla Matisse, e cila i kushtohet krejtësisht veprës
së vetme me karakter kishtar të artistit të madh francez Henri Matisse: Kapela e Zojës
së Rruzares në Vens të Provancës, e cila sivjet mbush 60 vjet. Vetë Matisse e konsideronte
si kryeveprën e vet. Në sallë mund të shihen projektet e punës, të cilat i biri
i Matisse ia dhuroi Koleksioneve Papnore, para 31 vjetëve. Piktori i madh punoi mbi
to për 4 vjet me radhë, nga viti 1947 deri në vitin 1951, pak kohë para se të ndahej
nga kjo jetë. Salla e re Matisse ndodhet në Galeritë Papnore, në qendër të seksionit,
që i kushtohet viteve ‘900, ndërmjet apartamentit të Borxhias dhe sallave para hyrjes
në Kapelën Sikstine. Në vjeshtë, pritet botimi i një libri mbi Kapelën e Zojës Rruzare
nga Shtëpia Botuese Vatikanase, ku do të gjejnë vend edhe letrat e shkëmbyera nga
Matisse me motër Agnès de Jesus, eprore e kuvendit të Saint-Paul-de-Vence. Historia
e kapelës fillon në vitin 1942, kur piktori zuri shtratin pas një operacioni të rëndë
kirurgjikal. I qëndroi pranë një infermiere, që quhej Monikë Buzhua, e cila më vonë
do të pozonte për disa nga pikturat e Matisse e në vitin 1946 do të vendoste të bëhej
murgeshë. Është ajo, motër Zhak-Mari, ideatorja e Kapelës së Vensës. Më 1947 vizaton
një vetratë dhe ia jep maestros ta shikojë. Nga kjo ditë, Matisse interesohet për
projektin, por bindet përfundimisht të merret me të nga frati domenikan Raisizhjè,
studiues i arkitekturës. Raisizhjè krijon strukturën arkitektonike të Kapelës e në
dhjetor, Matisse fillon të punojë për dekorimin e saj. Në fund të vitit 1948 del në
skenë një domenikan tjetër, atë Mari-Alen Kuturier, i cili mbronte teorinë e përtëritjes
së artit kishtar në Francë në vitet ‘40-’50. Kryevepra e Vensës lind nga bashkëpunimi
i artistit të madh francez me këta katër rregulltarë, përmes shkëmbimit të ideve e
sugjerimeve. Një kapitull i pashembëllt në historinë e artit bashkëkohor!