2011-06-22 12:19:10

Papa: kthehemi te psalmet, për të folur me Zotin e për ta njohur zemrën e Tij.


Një libër i jashtëzakonshëm urate, në të cilin vet Zoti na mëson si Ti drejtohemi me lutje. Kështu Benedikti XVI e përshkruan Librin e Psalmeve, mbi të cilin foli sot gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme.
Psalmet janë shkolla më e mirë e lutjes, ku mund “të lëvdosh e të gëzosh”, "të vuash e të shprehesh angështimin”, e “të lëshosh veten në duar të Zotit”. Psalmet janë fjalë që arritën tek ne përmes shekujsh e që na zbulojnë aspektet më të thella të jetës së njeriut, të cilit i prinë në njohjen e zemrës së vet e “të zemrës së Zotit”. Papa Benedikti XVI këtë u kërkoi të krishterëve që të lutën me psalme, të kthehen e “të marrin në dorë këtë libër të shenjtë” duke e bërë “udhërrëfyes të jetës së përditshme”.
Gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan para mase 10 mijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur prej vendeve të ndryshme, Papa kujtoi se si Psalmet biblike shprehin “tërë gamen e ndjenjave të ekzistencës njerëzore”, janë “shfaqje e shpirtit dhe e fesë, ku të gjithë mund të njihemi e të gjejmë vetveten”, shërbejnë për të “folur me Zotin” por sidomos për të “mësuar se kush është Zoti e për ta njohur zemrën e Tij”.
Gjatë audiencës së përgjithshme Papa Benedikti XVI filloi sot një kapitul të ri të katekizmit të tij mbi lutjen apo uratën, duke ilustruar librin e Psalmeve e me këtë rast përdori figurën e Davidit mbret për ti lidhur Psalmet, të lindura nga feja e Izraelit, me fenë e krishterë.
Në Davidin, shpjegoi Papa Racinger, “në një farë mënyre kemi hijen e misterit të Krishtit” e në Krishtin Psalmet gjejnë “plotësimin e vet përfundimtar, zbulojnë kuptimin e thellë, flasin për të Birin si shëmbëlltyrë e Hyjit të padukshëm”. “I krishteri duke lutur Psalmet – nënvizoi Papa – lut Atin Qiellor në Krishtin e me Krishtin, hynë në misterin pashkor e në horizontin” që vetëm lutja hap përmasa të papritura me pasuri të pakufishme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.