2011-06-22 18:08:24

Konferenca e Kishave të Evropës: të kujtojmë emigrantët e vdekur për udhë drejt mërgimit.


(22.06.2011 RV)Një ditë kushtuar kujtimit të atyre, që humbën jetën në kufijtë e Bashkimit Evropian. U propozua nga Konferenca e Kishave të Evropës (Cec) e do të kremtohet çdo vit, ndërmjet 20 e 26 qershorit.
Në korrikun e vitit 2009 Konferenca e Kishave të Evropës (Cec) pati deklaruar: “ Si Kisha të Evropës, e kemi për detyrë t’i kujtojmë, përmes një dite vjetore lutjesh, ata që vdiqën, në sa iknin nga vendet e tyre, në kërkim të një jete më të mirë në Evropë. Kishat e shoqatat për të drejtat e njeriut në vende të ndryshme evropiane – shkruhet në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano”, iu përgjigjën thirrjes dhe do t’i kujtojnë të dielën, më 26 qershor, pasojat vdekjeprurëse të mbylljes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. “Kjo mbyllje – kujton Konferenca e Kishave të Evropës (Cec) në një mesazh – realizohet përmes teknikave jashtzakonisht të përsosura të mbrojtjes së kufijve, duke i kontrolluar, me të njëjtat teknika, edhe kufijtë që lidhin Evropën me shtetet fqinje e duke i kthyer mbrapsht refugjatët, pa marrë fare parasysh se një dhunë e tillë është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, i cili duhet të jetë i lirë të jetojë atje ku dëshiron. Aq më tepër, kur kjo liri i mungon në vendin e vet.
Nismës iu përgjigjen edhe Kishat e shoqatat për të drejtat e njeriut të SHBA, sepse pikërisht në kufijtë, që i ndajnë këto Shtete nga Meksika, kanë gjetur vdekjen një numër shumë i madh emigrantësh, me ëndrrën për të kapërcyer një kufi, të pakapërcyeshëm.
Kishat do të kujtojnë me lutje të vdekurit pa emër, që gjithnjë më shpesh zhduken, pa lënë gjurmë, në det ose në shkretëtirë. Grahma e tyre, të cilën njerëzit nuk deshën ta dëgjonin, do të arrijë, përmes lutjes, tek froni i vetë Zotit. Ngjarjet tragjike, që ndodhin përgjatë kufijve, larg syrit të publikut e larg çdo kontrolli, do t’i shikojnë e do t’i njohin të gjithë. Do të jepen njoftime të sakta për situatën e të drejtave të njeriut në kufijtë ndërmjet shteteve. Politikanëve do t’u kujtohet se kanë përgjegjësi e se duhet të marrin masa të menjëhershme, për të mbrojtur njerëzit e të drejtat e tyre.
Sinodi i Kishave Evangjelike në Gjermani, në nëntorin e vitit 2010, pati uruar që situata të përmirësohet, përmes një impenjimi më të madh e më serioz në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kufijtë e jashtëm. Pati kërkuar edhe që të punohet për të krijuar vijat udhëheqëse për veprimtarinë e Frontex (Kufijtë e jashtëm të BE-së); duke theksuar domosdoshmërinë e një sistemi të pavarur kontrolli, për të ndjekur nga afër veprimtarinë e Frontex e për të informuar rregullisht institucionet e BE-së për përputhjen e kësaj veprimtarie me të drejtën evropiane e ndërkombëtare, posaçërisht lidhur me të drejtat themelore të njeriut.
Përveç kësaj, Sinodi kritikoi bisedimet e Bashkimit Evropian me Libinë, që synojnë në bashkëpunimin e ngushtë për kontrollin e emigracionit, duke nënvizuar se Libia nuk e garanton mbrojtjen e refugjatëve, e as atë të të drejtave të njeriut.

Ditë për t’u kremtuar edhe në Shqipëri, kufijtë tokësorë e detarë të së cilës janë mbrujtur me gjak njerëzish, që e deshën lirinë më shumë se jetën. E jo vetëm në vitet e tmerrshme të diktaturës, por edhe pas saj. Vija e kufirit nuk mund t’i harrojë të vdekurit e deti i flet vit për vit botës, kur të afërmit e atyre që gjetën vdekjen në kërkim të një jete më të mirë, hedhin lule mbi ujërat, poshtë të cilave fshihen shumë varre të panjohura njerëzish, pa kryq e pa emër!








All the contents on this site are copyrighted ©.