2011-06-22 18:04:20

Kardinali Sandri në plenaren e Roako-së, uron që pranvera arabe t’i hapë rrugën progresit.


(22.06.2011 RV)Nuk mund të mos ishte ‘pranvera arabe’, pas farëve që u hodhën gjatë Sinodit për Lindjen e Mesme në tetorin e kaluar e që sot po mugëllojnë, në qendër të vëmendjes së sesionit të 84-t plenar të Roako-së, organizëm, i cili koordinon veprimtaritë në ndihmë të Kishave Lindore. Punimet i hapi dje, në Vatikan, me bilancin e vitit, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, i cili përvijoi edhe planet për të ardhmen.RealAudioMP3

Ishte një bilanc vërtet i pasur, kushtuar një viti tejet të ngarkuar me ngjarje, shtegtime, vizita zyrtare, ku spikati fytyra e vërtetë e Kishave Lindore, të cilave u shërben dikasteri papnor.
Kardinali Sandri e hapi mbledhjen plenare të Roako-së me ditarin e një shtegtimi, që vijoi një vit të tërë, duke nisur nga vizitat në vendet më të varfëra, si Briri i Afrikës e, posaçërisht, Eritrea, e plagosur rëndë nga rekrutimi i të rinjve katolikë në forcat e armatosura, tek takimet e dialogut në Argjentinë, në Paris e në Vjenë, e pastaj, në Siri, pak para se të tronditej nga protestat.
E më tej, shtegtimi në gjurmët e shenjtorëve maronitë, nga SHBA, ku përfundoi jubileu i 1600-vjetorit të vdekjes së Shën Maronit, në Liban, për të nderuar reliket e shenjtit. Një vit në të cilin ‘pranverës së barinjve të rinj”, që do të jenë në Romë për takimin e tyre të shtatorit – iu shtua edhe pranvera e vendeve arabe, të cilën kardinali Sandri e shikon me shpresë, si rast i madh për progresin e popullsisë, por edhe me frikë, sepse mund të thellojë diskriminimin kundër të krishterëve, siç e shpjegon në mikrofonin tonë:
“Këto lëvizje, në shumë raste, përkojnë me skemën e vlerave të fesë së krishterë. Natyrisht ne jemi për ndryshime, që respektojnë dinjitetin e çdo njeriu, posaçërisht lirinë fetare, por jemi edhe me të gjithë ata, që vuajnë pasojat e këtyre ndryshimeve, sepse shpallja e të drejtave, po shoqërohet edhe me shumë vuajtje e dhunë; nganjëherë, edhe me shumë të vdekur”.Kardinali Sandri kujtoi edhe Sinodin për Lindjen e Mesme të tetorit të kaluar, si çast reflektimi e dhuratë, që po jep frytet e veta: përvojë, e cila nuk duhet lënë në harresë. E më pas, edhe impenjimin në ndihmë të Tokës së Shenjtë, atdhe shpirtëror i të gjithë besimtarëve; por edhe Irakun, ku të krishterët vijojnë ta pijnë me fund kelkun e mundimeve e Iranin, pa harruar të kujtojë edhe projektet e shumta në ndihmë të kristianëve të salvuar, themelore për të përgatitur të nesërmen e Lindjes së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.