2011-06-22 18:02:47

Hanri Matis, pikturon për lumni të Zotit ‘një lule, që është lulja e luleve...'.


(22.06.2011 RV)Kështu e quante Hanri Matis kryeveprën e viteve të fundit të jetës së tij: kapelën e Zojës Rruzare në Vansë.
Vansë është një qytezë jo fort e madhe, në jug-lindje të Francës, pranë Kanës e Nicës. Rreth vitit 1950 aty banonte një bashkësi murgeshash domenikane. Njëra prej tyre, motra Zhak-Mari, kujdeset për Hanri Matisin, njërin nga piktorët më në zë të shekullit XX. Gjatë sëmundjes së tij të rëndë, ndërmjet viteve 1942 e 1943, nuk i ndahet ditë-natë. Kështu ndërmjet piktorit e murgës lind një miqësi e thellë.
Kur domenikanet vendosin të ndërtojnë një kapelë, në vend të kapanonit ku mblidhen për t’u lutur, motra Zhak-Mari natyrisht këshillohet me mikun e saj, Hanri e i flet për planin e realizimit të një vetrate. Shumë shpejt piktori pranon të merret me realizimin e gjithë projektit, përveç arkitekturës. Projekton kapelën, vetratat, elterin, zbukurimet e rrëfyestoret... Në këtë kohë artisti i madh është shtatëdhjetë e shtatë vjeç e nuk beson në Zotin, ose më mirë të themi, beson, por sipas mënyrës së vet.
I përpunon disa herë vetratat, motivet e të cilave të kujtojnë elemente bimore e ujore, gjethe e alga. Ngjyra e kaltërt, e gjelbërt dhe e verdhë të kujtojnë dritën e ëmbël që buron nga deti, dy hapa larg që aty... Pasqyrimet e ngjyrave përshkojnë kapelëzën e zbresin ëmbëlsisht mbi figurën e Shën Domenikut, pikturuar me ngjyrë të zezë mbi pllakat prej qeramike. Guri i elterit përhap reflekse të buta, të praruara: është guri i përdorur nga romakët për ndërtmin e urës Gard. Mbi dysheme, mermeri i inkrustuar të kujton zbukurimet e artit islamik. Mbi elter, gjashtë shandana të vegjël në formën e një kurore anemonash, drejtuar nga qielli, dhe një kryq, të kujtojnë shandanin me shtatë krahë të hebraizmit.
Piktori krijoi një vend të përshpirtshëm, që bashkon të gjitha fetë, edhe ato që nuk besojnë në Hyjin e Jezusit. Prania e botës bimore dhe e diellit, që spikatin mbi sfondin e kaltërt të qiellit, të kujtojnë lutjen e heshtur të botës, që dëshiron të lartohet drejt Zotit.
“Zoti më merr për dore”, thoshte Matis, që mendonte se Kapela e tij e bën njeriun të marrë hov gazmor e plot shpresë drejt qiellit. Kapela u krye në qershor të vitit 1950.
Hanri Matis vdiq katër vjet më vonë.
Kjo ndërtesë e shkëlqyer është njëra, ndërmjet shumë të tjerash, që mund të admirohen në Francën jug-lindore, si kisha e rrafshnaltës të Asit, në Savojë; Kuvendi i Korbysje pranë qytetit Arbrel, Kisha e Ronshamp...e të tjera e të tjera…Tani, edhe në Muzetë e Vatikanit!










All the contents on this site are copyrighted ©.