Delegacioni i Patriarkanës së Konstandinopojës, në Romë për solemnitetin e Shenjtorëve
Pjetër e Pal.
(22.06.2011 RV)Për solemnitetin e shën Pjetrit e të shën Palit, Apostuj, Pajtorë
të qytetit të Romës, vjen çdo vit një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës,
ndërsa një përfaqësi e Selisë Apostolike merr pjesë në kremtimet që mbahen në Stamboll,
më 30 nëntor, në festën e shën Andreut. Sivjet Patriku i Kostandinopojës do të
dërgojë në Romë një delegacion të përbërë nga Fortlumturia e Tij, Emanuel, Metropolit
i Francës dhe drejtor i Zyrës së Kishës Ortodokse pranë Bashkimit Evropian; peshkopi
i Sinopit, Atenagoras, ndihmës i Metropolitit të Belgjikës dhe nga Arkimandriti Maksimos
Pothos, mëkëmbës i përgjithshëm i Metropolitit të Zvicrës. Më 29 qershor, njofton
një notë zyrtare, delegacioni do të pritet në audiencë nga Benedikti XVI. Do të jetë
i pranishëm edhe në kremtimin solemn, kryesuar nga Papa në Bazilikën e Vatikanit,
në festën e Pajtorëve të Romës.
Prania e delegacioneve në festat e Pajtorëve,
ështe një nismë e frytshme në dy drejtime. Së pari, shkëmbimi i vizitave të rregullta
ndërmjet Romës e Kostandinopojës dy herë në vit është rast vërtetë i përshtatshëm
edhe për shkëmbimin e informacioneve, për të mësuar të rejat nga jeta e të dyja Kishave
si dhe për koordinimin e nismave. Së dyti, shkëmbimi i vizitave bëhet me rastin e
dy festimeve të Shenjtorëve Pajtorë: shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike
e shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. E kjo tregon qartë se orientimi i dialogut
i nënshtrohet lutjes drejtuar Zotit. Është orientim shpirtëror sepse, siç e ka kujtuar
edhe Papa Gjon Pali II, në marrëdhëniet ekumenike duhet që kryet e vendit ta ketë
lutja: lutja jep jetë, lutja drejton, lutja ndihmon. E ky është edhe kuptimi kryesor:
bisedë e lutje! Kujtojmë se, si zakonisht, Patriku Ekumenik, kur nuk
vjen personalisht, dërgon një delegacion të përbërë nga bashkëpunëtorë të afërt të
tij. Delegacioni kryesohet gjithnjë nga një metropolit.