2011-06-22 17:55:52

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Psalmet, lutje universale, flasin me gjuhën e Zotit.


(22.06.2011 RV)Ta lëmë Zotin të na mësojë si të lutemi! Është ftesa e Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, kushtuar “Librit të lutjeve”, siç mund të quhet me plot gojën, “Libri i Psalmeve”.RealAudioMP3

Një ‘formular’ lutjesh. Kështu mund ta quajmë përmbledhjen e 150 Psalmeve, të cilën tradita biblike ia dhuron popullit të besimtarëve, që të bëhet lutje e tyre dhe jona, mënyra e të gjithëve, për t’iu drejtuar Zotit. E kështu na paraqitet Psalteri, dhuruar Izraelit e Kishës – shpjegoi Papa:
Në këtë libër gjen shprehjen e vet përvoja njerëzore me gjithë vezullimin e saj, me gjithë larushinë e ndjenjave, që shoqërojnë jetën e njeriut”.
Në këto lutje, poetike, melodioze, kryevepra të paarritshme të krijimtarisë hyjnore-njerëzore, gjejmë të gjitha situatat e jetës së njerëzimit e të jetës sonë:
“Në Psalmet gërshetohen e shprehen gëzimi e vuajtja; etja për Zotin e padenjësia e njeriut përballë Tij; lumturia e ndjesia e braktisjes; besimi në Hyjin e vetmia e dhimbshme; përsosuria e jetës e frika nga vdekja".
Himne lavdie, ankime, vajtime, këngë falënderje, Psalmet pendestare e sapienciale janë njëkohësisht lutje e lavde drejtuar Zotit, që denjohet t’i sjellë sytë nga ne e të na ndihmojë në ligështitë tona, sepse:
Lutja frymëzohet nga siguria se Zoti do të gjegjet, e kjo bën që nga zemra të gurrojë lavdi e falënderimi; lavd e falënderim, që burojnë nga hiri i Hyjit, i cili na shpëton, kur i kërkojmë ndihmë me lutjen e tonë, të dalë nga shpirti”.
Duke u lutur me Psalmet, mësojmë të lutemi në të gjitha situatat e vështira, që nuk mungojnë kurrë në jetën e secilit nga ne. E kjo:
“Sepse janë Fjala e Zotit e kush lutet me Psalmet, i flet Zotit me vetë fjalët e Zotit, me fjalët që na i dhuroi Ai vetë. Kështu, duke u lutur me Psalmet, njeriu mëson si të lutet”.
Një gjë e tillë – vërejti Benedikti XVI – ndodh edhe me fëmijën, i cili nis të flasë me fjalë që s’i dinte, sepse kur lindet, nuk di asnjë fjalë. Fjalët i mëson nga prindërit, ose nga njerëzit e tjerë, rreth tij.
Ndërmjet figurave më të spikatura të Psalmeve, Benedikti XVI kujtoi kryesisht Davidin, “mbret sipas zemrës së Zotit”; “njeri që lutej me pasion”; “figurë mesianike” që, në një farë mënyre, simbolizon misterin e Krishtit, i cili në jetën e tij tokësore u lut pikërisht me Psalmet, duke i pasuruar me një dritë krejt të re:
“... Ta marrim, prandaj, në dorë, këtë libër të shenjtë, ta lëmë Zotin të na mësojë si t’i drejtohemi, ta bëjmë Psalterin prijës, që na ndihmon e na shoqëron çdo ditë në udhën e lutjes”.Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI i ftoi besimtarët romakë dhe shtegtarët, të marrin pjesë nesër mbrëma, në Festën e Korpit të Krishtit, në Meshën solemne, që do të kremtohet në orën 19.00, pranë Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, prej nga do të niset procesioni, që do të përshkojë gjithë rrugën Merulana, deri tek Bazilika e Shën Marisë së Madhe. Kremtim tradicional, që ndiqet vit për vit me devocion të madh nga besimtarët romakë e shtegtarët e shumtë, ardhur për të adhuruar Korpin e Zotit, në udhëtim nëpër rrugët e Qytetit të Amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.