2011-06-21 16:32:09

Vizita baritore e Benediktit XVI në Ankona për mbylljen e Kongresit XXV Eukaristik Italian


Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në Ankona të Italisë, më 11 shtatorin e ardhshëm, me rastin e Kongresit XXV Kombëtar Eukaristik Italian. Kjo ngjarje kishtare do të përfundojë pikërisht me vizitën e Papës me kremtimin e Meshës së bashku me 100 ipeshkvij, në ditët e Kongresit XXV Eukaristik Italian, i cili do të mbahet në qytetin bregdetar nga 3 deri më 11 shtator. Programi i vizitës së Papës u paraqit sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Sipas tij, gjatë paradites të së dielës së 11 shtatorit, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në Kantierin Detar të Ankonës e më pas do të thotë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Në drekën e mëvonshme me ipeshkvijtë italianë do të marrin pjesë përfaqësues nga punëtorët me asistencë sociale dhe nga të varfërit, që ndihmohen prej Karitasit të vendit. Në orën 17.00, Papa Racinger do të takohet me familjet dhe me meshtarët në katedralen e shën Qiriakut, për të vazhduar me të rinjtë e fejuar në sheshin e Plebishitit. Në orën 19.00, Benedikti XVI do të niset për në Vatikan.
Kongresi Eukaristik Kombëtar përfaqëson për Kishën Italiane një rast bashkimi në 150 vjetorin e shtetit italian, rast jo vetëm simbolik. Vërtet, Kongresi i parë Eukaristik u zhvillua në Napoli më 1891 e pati si temë mbrojtjen e Eukaristisë e të kultit të saj. Në atë kohë shteti italian sapo ishte bashkuar e akoma nuk ekzistonte Konferenca Ipeshkvnore e Italisë. Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, e Kisha mblidhet për të reflektuar mbi pesë fusha kryesore: ndjenjat, brishtësia, puna dhe festa, tradita, qytetaria.







All the contents on this site are copyrighted ©.