Portreti i shenjti të madh jezuit, Shën Luigj Gonzagës, parë nga jezuiti, atë Girlanda
Pajtor i të rinjve e posaçërisht i studentëve: kështu vijon ta kujtojë, në rrjedhë
vitesh e shekujsh, Kisha katolike, Shën Luigj Gonzagën, i cili ndërroi kështjellën
atërore e nderimet që i siguronte fisi i pushtetshëm, me Shoqërinë e Jezusit. Nga
fisnik që ishte, u bë rregulltar jezuit. Pra të flasim mbi këtë shenjt të madh
jezuit, me portretin e të cilit na e pikturoi më 2010 jezuiti, atë Xhanfranko
Girlanda, në mikrofonin e Radio Vatikanit: Përgjigje: - Shën Luigj
Gonzaga duhet parë lidhur me rrethanat historike e ato familjare. Rrethanat historike
janë ato të shekullit XVI; familjare - ato të një familjeje fisnike e të pushtetshme,
e cila mund t’i hapte pinjollit të saj të gjitha rrugët, që të çonin drejt pasurisë
e lavdisë. E duhet menduar edhe se ai ishte djali i parë. Prej këndej theksojmë se
në personalitetin e tij spikat pikërisht fakti se ua ktheu shpinën gjithë këtyre mundësive,
për hir të një vlere, e cila për të ishte më e madhja. Iu kundërvu, por pa zemërim,
pushtetit, koprracisë, pasurisë, kënaqësive, të cilat ia shtronte nën këmbë me shumicë,
familja, ku kishte pasur fatin të lindej. Pyetje: - Ç’na transmeton sot figura
e Shën Luigj Gonzagës? Përgjigje: - Ne sot jetojmë në një shoqëri, ku
gjithçka bazohet tek suksesi, tek pushteti i plotë i njeriut mbi gjithçka, që sot
mund të jetë ai i teknikës, i shkencës, ndërsa asokohe ishte i fisnikërisë. Sot i
riu tundohet nga dëshira për t’i pasur të gjitha pasuritë, të gjitha kënaqësitë e
mishit e të gjakut, e dëshiron t’i ketë menjëherë, duke plotësuar kështu çdo dëshirë,
sido që të jetë. Lufton për t’u dukur, për të fituar, për të pasur sukses. Por, a
mund të ndërtohet kështu një shoqëri më e mirë për të gjithë? Madje edhe për atë,
që kërkon gjithçka e menjëherë? Si mund t’i kundërvihemi një prirjeje të tillë? Me
zemëratë apo me dëshmi? Duke ngritur krye kundër saj, apo duke i dëshmuar me jetë
vlerat thellësisht njerëzore, thellësisht të krishtera e thellësisht shoqërore? Shën
Luigji vdiq duke ndihmuar të sëmurët nga kolera, që bënte kërdinë në Romë: pikërisht
duke mbartur një nga këta të sëmurë, që po vdiste në rrugë të madhe, u sëmur edhe
ai vetë e edhe vdiq nga e njëjta sëmundje, në moshën 23 vjeçare. Kështu mund të themi
se jeta e tij u vu edhe në shërbim të shoqërisë, të ndihmës shoqërore, të varfërve,
të braktisurve të Romës. Pyetje: - E shkurtër, jeta e Shën Luigj Gonzagës,
por me gjurmë të thella. La pas një thesar vlerash… Cila është, sipas jush, vlera
më e madhe? Përgjigje: - Them se është vendosmëria për të rrokur një
ideal, që e bëri krejt për vete. Ideal i madh, jo abstrakt, por që bëhet konkret pastaj
në jetën e tij, e cila perceptohet si diçka e madhe. E kjo gjë e madhe, është Jezu
Krishti. Jezu Krishti i mishëruar. Zoti me mish e gjak, jo pa mish e pa gjak, si mund
të duket edhe në një farë ikonografie. Pyetje: - Pse ikonografia gregoriane
e kujton në mënyrë të posaçme Shën Luigjin? Përgjigje: - Sepse ishte
nxënës i Kolegjit Romak. Ai hyri në noviciat në Shën Andrea të Kurinales e pastaj
kaloi në Kolegjin Romak për studimin e filozofisë e të teologjisë.