Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës e të shqiptarëve të krahinës,
sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për vendin e popullsinë. 8
mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpreh shqetësimin për situatën
dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara. 7 qershor 1998: –
Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë, prej nga vijojnë
të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh – thekson Papa – në
Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë
bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura
në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. 9 gusht 1998: – në audiencën
e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj posaçërisht për banorët
e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë të bëhen gjithnjë
më dramatike”. 4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit të Tënzot, Papa
i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa i kërkon bashkësisë
ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën e vet që vlerat si mirëkuptimi,
respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin dhunës e shkatërrimit. 9
nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin e saj thellë për ndërhyrjen
e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran, Sekretar i Shtetit të Vatikanit
për marrëdhëniet me shtetet, kujton fjalët e shqiptuara një të diel më parë në Split
nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë: “Bashkësia ndërkombëtare duhet
t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”. 25 dhjetor 1988: - Në natën
e Krishtlindjes 1998 drama e Kosovës është sërish në qendër të vëmendjes së Papës.
*** 3 janar 1999: - Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Gjon Pali II thekson
dramën e Kosovës, duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e Krishtlindjes pati ndeshje
të reja të armatosura, është përherë e pranishme në zemrën time”. 11 janar 1999:
- Ati i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë gjatë takimit me Trupin Diplomatik
akredituar pranë Selisë së Shenjtë, për shkëmbimin e urimeve të vitit të ri, duke
theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar kosovarët e serbët të ulen
në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt fund mosbesimit të armatosur,
i cili paralizon e vret”. 15 janar 1999: - Duke pritur në audiencë kryeministrin
e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e
rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja e refugjatëve. Detyra kryesore
– u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të çarmatoset agresori; e këtë duhet
ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia ndërkombëtare. Pastaj, me afate
të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset “respektimi i marrëveshjeve”
e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”. 20 janar 1999: - Në audiencën
e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për paqe në Kosovë. 21 janar
1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje problemin e Kosovës në një telegram
drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të krizës – shkruan – e ndjej
për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë time atërore, ndërsa
u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i japin fund spirales së dhunës
e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar të drejtat e patjetërsueshme
të çdo njeriu”. 11 shkurt 1999: - Në emër të Papës, kardinali Angelo Sodano,
sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon me kryeministrin italian, Massimo
d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare
e të paqes në vend. 22 shkurt 1999: - publikohet një Komunikatë e sallës
së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë, përmes së cilës, pasi
vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë Apostolike dhe personalisht të Papës
Gjon Pali II, urohet të gjendet akoma një rrugëzgjidhje paqësore e afatgjatë që t’i
japë fund konfliktit. 21 mars 1999: - Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot,
Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në Kosovë dhe i fton besimtarët të
luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një udhë të vërtetë kryqi e prandaj
ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë historinë dhe të drejtën e saj.
24 mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë
dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë e në mbarë Evropën; 26 mars
1999: Në kapelën e Tij Private ne Vatikan, Gjon Pali II Lutet për paqen në Ballkan; 28
mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë
ngre zërin duke theksuar se është me popullin që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve:
Është ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes, duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi.
Qofshin këto gema ulliri simbol i paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës
ballkanike – uron Papa. Fillon ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë. Më
31 mars 1999: - Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor
Cor Unum, organizëm i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë
ndihmat humanitare. Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson:
Fëmijëve, nënave, pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të
jetë përherë, derisa të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e
tepër lot ka parë të rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX. Ndërsa më
1 prill 1999 dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për
marrëdhëniet me shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës
Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. 2 prill 1999: - Në përfundim
të Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur
e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe
kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes”. 4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve,
Papa kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë
refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar. 5 prill 1999: - Në të
Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje
për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet - kambanat nuk kanë rënë për
festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja. 9 prill 1999: - Ati
i Shenjtë u bën thirrje autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë
hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin
e Kosovës, ku qenë grumbulluar masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka
kufij – thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë korridore shprese. 11 prill
1999: - Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij
kujton se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot me vdekje, prandaj bën thirrje
që të heshtin armët e të rifillojë dialogu. 18 prill 1999 – Gjatë audiencës
së përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen për paqe në Kosovë e në Jugosllavi. 22
prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton
nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon
të destabilizojë gjithë Ballkanin. 27 prill 1999: - Në një letër personale
drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Papa shkruan: “Selia e Shenjtë e vlerëson
shumë faktin që Organizata të luajë rolin kryesor në zgjidhjen e një krize në të cilën
është përfshirë mbarë bashkësia ndërkombëtare. Është urgjente që zëri i ligjit dhe
i institucioneve të mos shuhet nga zëri i armëve. 2 maj 1999: gjatë Lutjes
së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje për stabilizimin e situatës në
Ballkan. 10 qershor 1999: - Publikohet një Deklaratë e Sallës së Shtypit
të Vatikanit mbi tërheqjen e serbëve nga Kosova, nënshkruar në Kumanovë nga gjeneralët
e Natos e të Beogradit. Kjo Deklaratë shënon edhe përfundimin e konfliktit. 4
tetor 1999: Gjatë vizitës në Kroaci, Papa i përshëndetë në gjuhën shqipe shqiptarët
që jetojnë në vendin ballkanik. 6 tetor 1999: - Në audiencën e përgjithshme
të së mërkurës në Vatikan, Gjon Pali II falënderon shtegtarët e gjuhës italiane për
sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojat e popullsive të Kosovës, të sprovuara
rëndë nga konflikti. ****** Për deklaratën e njëanshme të Pavarësisë
së Kosovës. Notë e atë Federiko Lombardit – transmetuar nga Radio
Vatikani, më 17. 02. 2008.
Me rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë
së Kosovës, shumëkush pyet çfarë qëndrimi do të mbajë Selia e Shenjtë, e cila e ka
ndjekur e vijon ta ndjekë ngjarjen me vëmendje të madhe e me urimin e përzemërt që
në këtë çast delikat, ndjenja e përgjegjësisë e fryma e paqes, të fitojnë mbi çdo
qëndrim tjetër, si nga ana e qeveritarëve, ashtu edhe nga ana e popujve. Por për
ta sqaruar sa më mirë që të jetë e mundur qëndrimin, është e arsyeshme të fillojmë
duke bërë ndonjë hap mbrapa.
Madje është mirë të nënvizojmë sa herë Selia e
Shenjtë ndërhyu gjatë krizës së 1999-tës, si në nivel diplomatik, ashtu edhe në atë
humanitar, për të kujtuar parimet, nga të cilat duhet të frymëzohen marrëdhëniet ndërmjet
popujve e për të promovuar ndihmën për të shpërngulurit, në përkim me mjetet ndërkombëtare
në fuqi. Në vijim Selia e Shenjtë u impenjua aktivisht për stabilitetin e paqen
në rajon, duke mbështetur çdo përpjekje, që synonte të shmangte rrugët e imponuara
e të favorizonte bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për të
arritur në një zgjidhje realiste, që të respektonte aspiratat e të dyja palëve. Gjatë
negociatave të dy vjetëve të fundit, u prit me kënaqësi marrëveshja e arritur mbi
disa çështje teknike, duke vijuar, nga ana tjetër, urimin që vullneti politik e elasticiteti
të krijonin kushtet për të gjetur një rrugëzgjidhje konsensuale përfundimtare mbi
statusin juridik të Kosovës. Deklarata e njëanshme e pavarësisë kosovare – e mbështetur
mbi bazën e rekomandimeve, që përmban plani i ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara,
Martti Ahtisari – krijon një situatë të re, e cila natyrisht do të ndiqet me vëmendje
të madhe nga Selia e Shenjtë, që duhet të vlerësojë kërkesat e mundshme, lidhur me
këtë çështje. Por në këtë çast Selia e Shenjtë ndjen sidomos përgjegjësinë e misionit
të saj moral e shpirtëror, që ka të bëjë edhe me paqen e rendin e drejtë në marrëdhëniet
ndërmjet kombeve e, prej këndej, i fton në mënyrë të posaçme udhëheqësit politikë
të Serbisë e të Kosovës për maturi e moderim, duke kërkuar një impenjim të vendosur
e faktik për mënjanimin e reagimeve ekstremiste e shmangiet e dhunshme nga kursi,
në mënyrë që të krijohen që tani kushtet paraprake për një ardhmëri, e cila bazohet
mbi respektin, pajtimin e bashkëpunimin. Përveç kësaj, i duhet kushtuar vëmendje
e posaçme mbrojtjes së demokracisë e të shtetit të së drejtës, e edhe në Kosovë duhen
zbatuar standardet ndërkombëtare të respektimit të të drejtave të pakicave e të të
gjithë banorëve, pa dallim etnie, feje, gjuhe ose kombësie, ashtu siç duhet edhe të
vigjilohet për mbrojtjen e trashëgimisë së çmuar artistiko-kulturore të krishterë.
Stabiliteti në rajon duhet promovuar me të gjitha impenjimet e mundshme, e prandaj
është për t’u uruar edhe që Bashkësia Ndërkombëtare të japë kontributin e saj tejet
të rëndësishëm. Nga ana e tij, Ati i Shenjtë vijon t’i shikojë plot dashuri popullsitë
e Serbisë e të Kosovës, është shpirtërisht pranë e i siguron se lutet për ta, në një
çast kaq të rëndësishëm të historisë së tyre.
Benedikti XVI shpreson në
një të ardhme në paqe e pajtim ndërmjet popullsive të Serbisë e KosovësNë fjalimin
drejtuar Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë me 8 janar 2009, Papa Benedikti
XVI, mes tjerash, kujtoi edhe Ballkanin e, në mënyrë të posaçme, Kosovën. “Selia e
Shenjtë është e impenjuar për stabilitetin në jug lindje të Evropës e shpreson që
të vijohet me krijimin e kushteve për një të ardhme në pajtim e paqe ndërmjet popullsive
të Serbisë e të Kosovës, duke respektuar pakicat e pa harruar mbrojtjen e trashëgimisë
së çmuar artistike e kulturore kristiane, që përbënë një pasuri për mbarë njerëzimit”. ******* (10.02.2011
RV) Papa emëroi Nuncin imzot Juliusz Janusz, Legat Apostolik në Kosovë
Ati i Shenjtë ka emëruar Nuncin Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit
Apostolik në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij shumë të nderuar Imzot Juliusz Janusz, Kryeipeshkëv
titullar i Kaorles, deri më tani Nunc Apostolik në Hungari. Për herë të parë
pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të ketë Legatin apo të Ngarkuarin e saj Apostolik,
personin që lidh Kishën katolike të vendit me Vatikanin. Në një komunikatë për shtyp
të Selisë së Shenjtë thuhet: “Me rastin e emërimit të Nuncit Apostolik në
Slloveni, u vendos që të enjten, më 10 shkurt, të publikohet emërimi i Shkëlqesisë
së Tij, imzot Juliush Janush si Nunc Apostolik në Slloveni, me detyrën e Legatit Apostolik
në Kosovë. Përsa i përket këtij lajmi, saktësohet se emërimi i Legatit
Apostolik hyn në funksionin organizativ të strukturës së Kishës Katolike, prandaj
ka vetëm karakter kishtar dhe dallohet nga konsiderata, që kanë të bëjnë me situata
juridike e territoriale, ose me çështje që kanë të bëjnë me aktivitetin diplomatik
të Selisë së Shenjtë. Misioni i një Legati Apostolik nuk është me natyrë
diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të ndihmuar si duhet e lypet besimtarët
katolikë në nevojat e tyre baritore”.