2011-06-21 13:41:45

Me 21 qershor kalendari përkujton shën Luigj Gonzagën, rregulltar


Sot më 21 qershor kalendari Kishtar përkujton njërin nga shenjtorët më të njohur: shën Luigj Gonzagën, meshtar rregulltar.
Luigji lindi në kështjellën Kastilione të Stivieres, ndërmjet Breshias e Mantovës, në Itali, më 19 mars 1568 nga markezi don Ferrante Gonzaga e kontesha Marta Tana di Santena, dy të rinj të sapomartuar, të kthyer pak kohë më parë nga oborri mbretëror i Madridit, ku qenë në shërbim të mbretit Filip e të mbretëreshës Elizabeta.
Zgjodhi jetën rregulltare në Shoqërinë e Jezusit (Jezuitët), pat si udhëheqës shpirtëror shën Robert Bellarminin. Shën Luigji Gonzaga është shembull i jashtëzakonshëm për shpirtin e sakrificës e pastërtinë e sjelljeve dhe veprave. E vulosi dëshminë e tij të shkurt me dashuri dhe bamirësi heroike në shërbim të të sëmurëve nga gërbula e kolera.
Pra, Luigji hoqi dorë nga titulli i markezit në favor të të vëllait, Rudolfit, dhe më 5 nëntor 1585 hyri në noviciat ndër jezuitë, në Romë. Kur këtu shpërtheu epidemia e kolerës, u vu në shërbim të të sëmurëve në spitalin e Shën Sistit. Një ditë, ndërsa shkonte në spital, pa në rrugë të madhe një të sëmurë që po jepte shpirt. E ngarkoi mbi shpinë dhe e çoi në duar të mjekëve. Iu ngjit, kështu sëmundja, që do ta çonte në vdekje. Ndërroi jetë më 21 qershor të vitit 1591. Ishte vetëm 23 vjeç. Mbetet model i të riut katolik e u shpall Pajtori i rinisë katolike.
Prandaj, duke kujtuar festën e sotme në audiencën e përgjithshme të 21 qershorit 2009 mbajtur në Vatikan, Benedikti XVI e paraqiti shën Luigjin Gonzaga si shembull mahnitës thjeshtësie e pastërtie ungjillore dhe i ftoi të rinjtë t’i luten t’i ndihmojë për të lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, i vetmi që mund t’i bëjë të aftë ta përballojnë seriozisht jetën. E më pas, duke iu drejtuar të sëmurëve të pranishëm në audiencë, Papa i porositi: “Ky shenjt i ri, shën Luigj Gonzaga ju ndihmoftë për t’i shndërruar vuajtjet e provat e përditshme në raste të çmuara bashkëpunimi me Zotin për shpëtimin e shpirtrave”.
Besimtarët shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin më për së afërmi Shenjtin e Rinisë, mund të lexojnë veprën origjinale të priftit e shkrimtarit të madh dom Ndre Mjedës “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i pergjithtë i moshës së ré”.
Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Piu XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.
Në kreun e parë - siç e quan Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të nji pastrís êjëllore; qi ká xé mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltérna e kisha gjithkû permêndet féja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndérshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne.
Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu Mjedjen lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave të Fés, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së ré katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare –shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën Apostollike të Shenjtit Atë Papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.