2011-06-20 14:00:09

Ndahet nga jeta deputetja kosovare Nekibe Kelmendi


Deputetja e Kuvendit të Kosovës Nekibe Kelmendi, është ndarë dje në mbrëmje nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë. Në Qeverinë e kaluar, Nekibe Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë, dhe njëkohësisht kryente funksione të larta partiake në LDK. Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe i vranë deputetes së ndjerë bashkëshortin, avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, si dhe të dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një akademi përkujtimore, për të kujtuar dhe nderuar deputeten Nekibe Kelmendi, ndërsa në këtë akademi Kosovare Kelmendi, vajza e deputetes së ndjerë, tha se porosia e fundit e nënës së saj, deputetes Nekibe Kelmendi ishte “ M’i bëj të fala gjithë Kosovës”.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në këtë akademi përkujtimore tha se deputetja Kelmendi ishte një grua e fortë dhe model, e cila përkundur asaj që ka përjetuar e vuajtur, u dha kurajo të tjerëve, për të ecur përpara..
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, deklaroi se në këtë akademi po nderohet gruaja më e fortë e këtij vendi, e cila edhe më të dashurit e saj ia fali Kosovës.
LDK-ja, siç tha Mustafa humbi personalitetin më të mirë që kishte, një grua e cila që nga themelimi i LDK-së u përkushtua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Thçai pohoi se Kelmendi ishte ndër aktivistet dhe intelektualet më aktive të Kosovës, që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qenë e angazhuar në institucionet e Kosovës deri në momentet e fundit të jetës. Znj.Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të gjenocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Edhe në këtë gjendje, znj.Kelmendi gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.