2011-06-20 14:56:42

Kosovë: Feith hetohet nga prokurorë të EULEX’it


Prokuroria Speciale e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, ka hap një hetim gjyqësor ndaj Pieter Feith, kreut të Zyrës civile ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë, i cili thuhet se ka ndikuar në emërimin e guvernatorit të Bankës qendrore të Kosovës, Gani Gërgurit.
Në regjistrat e Prokurorisë Speciale, Pieter Feith figuron si një nga njerëzit që është hetuar nga prokurorë të EULEX’it. Gjithçka pra lidhet me zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Kështu njofton e përditshmja Gazeta Express e cila sjell dëshmi që përfshin shefin e ICO’së në zgjedhjen e Gani Gërgurit në postin e guvernatorit, gjë që nxiti nisjen e hetimeve ndaj tij nga prokurorë evropianë.
Në të kaluarën, shefi i ICO’së, Pieter Feith, ishte parë me simpati nga kosovarët, kur muaj më parë, teksa po formohej Qeveria e re, deklaronte se njerëzit që janë nën hetime nga drejtësia, nuk duhet të hyjnë në Ekzekutiv.
Në një vend me shkallë jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit, deklaratat e holandezit shiheshin si një goditje e fortë për ministrat që ishin bërë sinonim i zyrtarëve që fusin dorën në arkat e taksapaguesve.







All the contents on this site are copyrighted ©.