2011-06-20 14:38:35

Kisha gjermane, në ndihmë të bashkësisë së krishterë në Irakun e martirizuar.


Përfundoi dje, në Irak, vizita e një delegacioni të Konferencës ipeshkvnore gjermane, që shkoi pranë bashkësisë katolike irakiane për ta ndihmuar ta kapërcejë situatën tejet të vështirë. Duke parë si jetojnë të krishterët në këtë vend të martirizuar, përfaqësuesit e Kishës gjermane u shprehën sivëllezërve në fe, solidaritetin e tyre, duke u dhënë zemër, por edhe duke studiuar nga afër rrugët më të frytshme për ndihmë konkrete. Për këtë qëllim, anëtarët e delegacionit u takuan me barinjtë e Kishës irakiane e edhe me autoritetet më të larta politike në vend. Misionin e kryesoi imzot Ludvig Shik, kryeipeshkëv i Bambergut dhe kryetar i Komisionit “Kisha botërore”, të Episkopatit gjerman. Ja edhe përshtypjet e imzot Shik, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Situata në Bagdad është krejt e ndryshme nga ajo në Erbil, ku ndodhem tani, që po ju flas. Në Kirkuk e në Mosul, edhe më e ndryshme. Duhen llogaritur mirë ndryshimet ndërmjet këtyre qyteteve. Në Jug të Irakut, të krishterët janë shumë të persekutuar, ndërsa këtu, në veri, jetojnë në paqe. Vetë qeveria e Kurdistanit i mbron të krishterët: mund të ndërtojnë shtëpi e të gjejnë punë... Në se duam t’i ndihmojmë me të vërtetë, duhet t’i dallojmë këto situata.

Pyetje: - Shumë të krishterë vijojnë të ikin nga Iraku: si mund të shmanget një situatë e tillë, që e dëmton rëndë Kishën në vend....

Përgjigje: - Ka shumë rëndësi që të krishterët të mbeten në vend, edhe pse kanë formim më të mirë: ndërmjet tyre ka mjekë, profesorë, mësues... Të krishterët kanë humanizëm të theksuar, që i ndihmon edhe myslimanët – shiitë e sunitë - e kanë edhe frymën e bashkimit, që mund të ndikojë për t’i afruar grupet e ndryshme e për të formuar një bashkësi kombëtare: prandaj janë shumë të nevojshëm në këtë shoqëri.

Pyetje: - A keni vërejtur ndonjë farë progresi kohët e fundit?

Përgjigje: - Qeveria e Kurdistanit ka organizuar një polici të krishterë; në qytetet e Veriut, që kujtova më sipër, ka siguri, por duhet vijuar puna për forcimin e saj e, sidomos, duhen krijuar vende të reja pune e kushte më të mira jetese. Ne, gjermanët, duhet ta ndihmojmë konkretisht Kishën kaldeje në Irak, që të mund të hapë shkolla profesionale e t’u krijojë një perspektivë të re të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.