2011-06-20 17:11:24

Dita Botërore e Refugjatit, 60 vjet pas miratimit të Konventës ndërkombëtare për mbrojtjen e të persekutuarve


Sot kremtohet Dita Botërore e Refugjatit, gjatë një viti, në të cilin njerëzimi kujton edhe 60-vjetorin e miratimit të Konventës ndërkombëtare për mbrojtjen e të persekutuarve e të personave, që detyrohen të largohen nga vendi i tyre. Sipas Raportit statistik vjetor të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, numri i këtyre njerëzve në botë arrin shifrën marramendëse prej 43 milion e 700 mijë vetë, 4/5 e të cilëve janë mbyllur në kampet e vendeve në zhvillim. Raporti “Global Trend 2010” u bë i njohur sot në Romë nga kreu i Komisariatit, Antonio Gutierres. Po të reflektojmë vetëm për vitin e shkuar, numërojmë rreth 4 milion vetë të ikur nga shtëpitë. Shifra dramatike, që nuk marrin parasysh zhvendosjet me forcë në vitin 2011 në Libi, në Siri, apo në Bregun e Fildishtë. Refugjatët janë kryesisht afganë, por edhe irakianë, somalezë, kongolezë e sudanezë. 15 mijë e 500 janë vetëm kërkesat e paraqitura nga të miturit e pa shoqëruar, ose të ndarë nga prindërit. Por të dëgjojmë vetë Antonio Gutierres, në mikrofonin tonë:
Dy janë faktorët kyç, të rëndësishëm, që duhen pasur parasysh. Pikë së pari, në vitin 2010 kemi pasur numrin më të lartë të refugjatëve e të të shpërngulurve gjatë 15 vjetëve të fundit. Kjo, si për shkak të krizave të reja, ashtu edhe për shkak të luftrave të vjetra, që s’mbarojnë kurrë. Faktori i dytë, shumë i rëndësishëm, është ekzistenca e idesë së gabuar se refugjatët strehohen nga bota e industrializuar, por në të vërtetë, katër të pestat e tyre gjenden në vendet në zhvillim. Në këtë çast, kur numri i personave për t’u mbrojtur rritet vazhdimisht, e vetmja politikë, që mund të zbatohet, është ajo e hapjes së kufijve.
Në nivelin evropian, Gutierres nënvizoi nevojën e harmonizimit të sistemit, në mënyrë që në çdo vend të Bashkimit Evropian, refugjatët të kenë të njëjtin trajtim. “Ata që kanë të drejtë për strehim politik – theksoi Komisari i Lartë në konferencën e sotme të shtypit – duhet të pranohen, ndërsa të tjerët mund të kthehen mbrapsht, sipas ligjit ndërkombëtar”. Dje, Gutierres ishte për vizitë në ishullin italian të Lampeduzës, ku zbarkojnë vazhdimisht emigrantë nga Afrika e Veriut, të shtyrë nga konfliktet e pranverës arabe.







All the contents on this site are copyrighted ©.